Pse deshi ta takojë Kadri Veselin biznesmeni që iu kërkua ryshfet prej 800 mijë eurove?

Biznesemni Sabri Maxhuni (Novosella) në një rrëfim ekskluziv ka treguar pretendimet se zyrtarë nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor i kanë kërkuar ryshfet prej 800 mijë euro në këmbim të një leje ndërtimi në Brezovicë.

Përfaqësuesi im merr kontakt në Ministrinë e Ambientit dhe pse po vonohet çka u bë pse u vonu. Ata ja lënë një takim, me bindjen se nuk guxon me fol kurrkush se bahet nami se ata janë të fortë. Ja caktojnë një takim në Brezovicë, shkojnë aty hanë drekë, rrinë dhe fillojnë bisedimet. Thotë lejen ja japim, thotë 1 mijë për qind lejen e ka të garantuar, por duhet me na dhanë 800 mijë euro”, ka treguar Novosella për KALLXO.com.

Gjatë intervistës biznesmeni ka thënë se pasi rasti u bë publik nga deputeti Milaim Zeka ka shkuar në Kuvend të Kosovës për ta takuar Kadri Veselin, por nuk kishte arritur që ta shoh.

“Të hënën dy javë, shkova të kryetari Kuvendit, Kadri Veseli, se e njohë kam kontaktuar me të, shkova aty më priti një vajzë, i thash kam ardh me taku kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, kam një takim me të, po du me pa, mirë tha prisni pak. Shkoj e nuk vonoj shumë u kthy, nuk më tha s’është këtu në fillim, pastaj tha që kryetari nuk është këtu, tha ama letër njoftimin ma fotokopjoi edhe numrin e telefonit, tha të thërrasim ne e ta caktojmë një takim. Kaluan një javë, nuk më thirrën, kaluan dy javë nuk më thirrën, hymë në javën e tretë, prapë nuk më thirrën. A kam çka them, kam çka them shumë por nuk po e zgjati më shumë në televizion, ka kohë ajo”, thotë ai.

I pyetur se pse ka dashur ta takoj kreun e PDK-së, Kadri Veseli, ai ka thënë për t’i treguar për rastin e Brezovicës.

“Për qita shkova, për tjetër sen jo. A po kujton që nuk e din ai a, me i kallxu se çka po bëjnë njerëzit e juaj, s’po ma jepni lejen. Unë s’kam ardh prej Suedisë me i drejtu hajnitë e kriminalitetin, unë jam ardh me ndërtue. Unë po them, ti je kryetar i Parlamentit, po më pengoni me ndërtue, që 11 vjet vrapoj mas lejeve. Asgjë nuk bëhet pa e ditë i zoti shpisë”, ka thënë Sabri Novosella për KALLXO.com.

Krejt historia e këtij rasti filloi në një seancë në Kuvendin e Kosovës ku deputeti Milam Zeka tha se pronarit të banjës “Nëna Naile” iu kërkuan fillimisht 800 mijë euro për leje ndërtimi e pastaj 600 mijë euro e dy banesa në Prishtinë.

Për këtë rast ishte deklaruar edhe ministri aktual i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi. Ai kishte kërkuar që organet e hetuesisë ta ndjekin dhe zbardhin këtë rast.

Biznesmeni, i cili ka edhe nënshtetësi suedeze, tashmë është intervistuar nga hetuesit e Policisë së Kosovës ndërsa ka thënë se rastet e kërkimit të ryshfetit për të nuk janë befasi.

“Milaim Zeka ato që i tha në Kuvendin e Kosovës, pikë për pikë janë të vërteta. Milaim Zeka para disa dite ishte te unë rreth asaj punës që e përgatitë për hapjen e partisë, dhe më pyeti sepse e dinte rastin: Baci Sabri çka u bë me atë hotelin në Brezovicë? I thash kurrgjë s’u bë, thash përveç hotelit i kam edhe pesë ndërtesa, kemi një kompleks. Më tha: E pse? Unë i thash Milaimit, po jo me thanë aq në besë por thjeshtë nuk e dija që po del në Kuvend, edhe pse që doli në Kuvend bëri shumë mirë, i thash: Milaim m’i kanë kërkuar 800 mijë euro për leje nëpërmjet një përfaqësuesit tim”, ka thënë biznesmeni Sabri Novosella.

Ai ka treguar në hollësi prej kur kishte filluar çështja e ndërtimeve në Brezovicë.

Fillimisht, biznesmeni kishte blerë tokën, pastaj kishte ideuar një plan për ndërtimin e një kompleksi banesor, ku ishte paraparë të ndërtohej edhe një hotel.

Për ndërtimin e tyre kishte kërkuar fillimisht leje në Komunën e Shtërpcës. Por, ndërkohë ai e kishte kaptuar se leja për ndërtimet mbi tre kat lëshohet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

“Në vitin 2011 shkova në Brezovicë, kisha dëshirë të bëjmë diçka, rashë në kontakt, mora lidhjet, i bleva shtatë troje, të gjitha dokumentet i kam këtu, i kanë edhe në Komunën e Shtërpcës, edhe Ministria e Ambientit. Menjëherë filloi problemi me leje, m’i pranojshin, s’m’i pranojshin dokumentet, u bë gazepi. Kryeministri Haradinaj shkoi në Brezovicë dhe zhbllokoi 63 troje që njerëzve u janë marrë e edhe trojet e mija i zhbllokoi, shtatë trojet e mia. Ato i bashkova i bëra një truall, meqë i kisha projektet dhe në dhjetor të vitit të kaluar (2018), bëra kërkesën për ndërtimin e pesë ndërtesave, hotel krejt kompleksin dhe i dorëzova. Është rregull që pa i plotësuar të gjitha dokumentet ata nuk i pranojnë dokumentet, kur plotësohen çdo gjë i çova, e bëra një pagesë për pranimin e dokumenteve, shkova në bankë i pagova 1 mijë e 840 euro të cilat janë të dokumentuara. Tash mbeta në pritje, bile edhe aty me tha ai që i pranon dokumentet, tha: Baca Sabri lejen e ke të garantune pasi që çdo gjë është kryer edhe me kohë edhe konform ligjit”. Kjo ka ndodhë në Komunën e Shtërpcës sepse ashtu shkon, ajo ishte në kuadër të Komunës. Pasi prita ca kohë, e dërgova një përfaqësues timin me u interesu se pse ndodhi vonesa. Ata e njoftojnë që lënda e juaj ka shkuar komplet, e ka marrë Ministria e Ambientit, se ndërtimet deri në tre kat për vila i jep Komuna e Shtërpcës kurse për objektet e larta, duhet me dhënë pëlqimin Ministria e Ambientit”, ka shpjeguar Maxhuni për KALLXO.com.

Pasi lënda për lëshimin e lejes ndërtimore kishte shkuar në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Maxhuni thotë se kërkuan të dinë se pse ishte vonuar lëshimi i lejes nga kjo Ministri.

Sipas tij, zyrtarët nga ministria kishin kërkuar një takim me përfaqësuesin e kompanisë që kërkonte leje për ndërtimin e kompleksit banesorë në Brezovicë.

Sipas tij, pas bisedave të para kishte ardh edhe oferta nga zyrtarët e ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor.

“Përfaqësuesi im merr kontakt në Ministrinë e Ambientit dhe pse po vonohet çka u bë pse u vonu. Ata ja lejnë një takim, me bindjen se nuk guxon me fol kurrkush se bahet nami se ata janë të fortë. Ja caktojnë një takim në Brezovicë, shkojnë aty hanë drekë, rrinë dhe fillojnë bisedimet. Thotë lejen ja japim, thotë 1 mijë për qind lejen e ka të garanduar, por duhet me na dhanë 800 mijë euro”, thotë tutje biznesmeni.

Ai thotë se pasi nuk i kishte dhënë paratë e kërkuara në takimin e parë, ishte realizuar edhe një tjetër takim për një ofertë tjetër. Këtë herë, ishte zvogëluar shuma, nga 800 mijë euro në 600 mijë dhe dy banesa në Prishtinë.

Të gjitha këto takime dhe bisedime për marrje ryshfeti ishin zhvilluar pas dhjetorit të vitit të kaluar, kur edhe është hera e fundit kur Sabri Maxhuni kishte dorëzuar kërkesën për leje ndërtimi.

“Dokumentet janë dorëzuar në vitin e kaluar, në dhjetor të vitit kaluar, ndërsa këto (bisedimet), kanë shkuar ndërkohë dhe takimet kanë ndodhë para disa muajve. Vijnë më njoftojnë mua, më njofton menaxheri se s’kam dashtë me kurrkënd tjetër me bisedu, më tha qushtu puna është, po na kërkojnë 800 mijë euro. Thash, kjo është normale, se s’ka marrë kush leje në Kosovë, përveç në Kllokot që kam marrë unë, për pa dhënë qindra mijëra euro, i disha këto punë. I thash, me ta mos e këputni lidhjen, por vazhdimisht bëni kërkesa me na u dhënë edhe në një rast tjetër u thonë, po mirë po e zbresim, 600 mijë euro dhe dy banesa në Prishtinë, se s’po na shitën banesat”, thotë ai.

Ai ka thënë se nuk pranoi të jepte para pasi e dinte se një gjë e tillë paraqet vepër penale edhe për të.

“Ku me ditë sa banesat i kanë e sa mallin e kanë e spo ju shitën. Erdhën te unë, unë jam njohës i ligjeve, jam në moshën 77 vjeçare jam nënshtetas i Suedisë, i njohë edhe ligjet e Suedisë, ai që merr bën vepër penale ai që jep bën vepër penale, se pranimi i mitos është vepër penale, dhe dhënia e mitos është vepër penale. Unë jam i vetëdijshëm për këtë punë, një ditë dalin këto sene, nuk dua të jem shkelës i ligjit. Edhe mbetën në pritje, menaxheri i jem iu tha na jepni lejet se baca Sabri nuk jep pare”, thotë biznesmeni.

Pasi këto i hha në Kuvend deputeti Milaim Zeka, ai thotë se ishte ftuar edhe nga policia për dhënë deklaratë.

“Ndërkohë, erdh Milaimi te unë edhe unë ja tregova rastin, për besë nuk e dita që po del në Kuvend, gjë që s’ka bë keq hiç, edhe erdh në Kuvend e tha atë të vërtetë. U bë pak zhurmë gjë që u bë mirë, atëherë mu më thirri policia, isha nervoz qa është policia, policia, këtu është bë nami. Dje (e martë), në ora 9:00 pata një takim në polici, më duket që deklarata u murrë për Prokurorinë, bile kur shkova aty Milaimin aty e gjeta, edhe atë e kishin thirr për këtë. U bë një pritje shumë korrekte, ma lanë një përshtypje të mirë ata polic, ata shprehën keqardhje për rastin që kanë ndodhë këto sene”, thotë ai.

“Tash po ju them juve dhe organeve kompetente, nuk është problemi te një leje, kjo nuk është rast, kjo është rregull”, vazhdon Maxhuni.

Ai ka thënë se për këtë çështje ka dashur ta takoj edhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

“Të hënën dy javë, shkova të kryetari Kuvendit, Kadri Veseli, se e njohë kam kontaktuar me të, shkova aty më priti një vajzë, i thash kam ardh me taku kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, kam një takim me të, po du me pa, mirë tha prisni pak. Shkoj e nuk vonoj shumë u kthy, nuk më tha s’është këtu në fillim, pastaj tha që kryetari nuk është këtu, tha ama letër njoftimin ma fotokopjoj edhe numrin e telefonit, tha të thërrasim ne e ta caktojmë një takim. Kaluan një javë, nuk më thirrën, kaluan dy javë nuk më thirrën, hinum në javën e tretë, prapë nuk më thirrën. A kam çka them, kam çka them shumë por nuk po e zgjati më shumë në televizion, ka kohë ajo”, thotë ai.

“O vëlla i dashtun, ose duhet me u ndal ky banditizëm i organeve të pushtetit, e me leju popullin me punu, e diaporës me ia hapë dyert, me ju thënë ejani në shtëpinë e juaj punoni e ndërtoni e gjallënoni, ose puna jonë për ditë është në fundosje”, thotë tutje.

Ai ka thënë se nga këto raste jeta e tij është në rrezik ndërsa ka treguar edhe rrugën sesi funksionin kërkimi i ryshfetit.

“Edhe policisë i kallxova, unë me ata persona nuk kam biseduar, njerëzit e mijë që punoj me ta që 20 vjet që kam besim sa në vetveten, njëri prej tyre është sumuar, po na vrasin djemt more vëlla i dashtun, këto janë rreziqe të mëdha, çdo përgjegjësi e marrë unë mbi vete”

“Diçka edhe pa u pa dihet, nuk ka munjtë me u caktu shuma prej atyre që i kanë kryer punët, për pa e caktuar ai që jep leje, unë e them me përgjegjësi të plotë, nuk kanë mundur të shkojnë njerëzit me kërku shumën 800 mijë euro apo 600 mijë euro e dy banesa, përveç ai, është marrëveshje, këtë rregull ma kanë argumentuar, askush nuk t’i merr paret pa ta qite lejen e përfunduar: kjo është leja qiti paret, lejen e marr në dorë paret i jep këtë punë se din kurrkush dhe u kry puna”, deklaroi ai.

Ai nuk ka pranuar të jap emra të atyre personave që kanë kërkuar ryshfet në këmbim të lejes ndërtimore, por ka thënë se sot po të u jap paratë, do ta merrte lejen e ndërtimit.

“Policia më tha, kemi kërkuar nga komuna e Shtërpcës kemi kërkuar edhe nga organet kompetente të ministrisë të Ambientit për me nau dhënë krejt materialet cysh janë atje, ata i dinë krejt”, thotë ai

“Apsulitisht nuk kam treguar emra, edhe ata më kuptuan, në baza ligjore unë nuk jam i detyraur t’i rrezikoj njerzit. Unë s’kam kontaktuar hic me ta, menaxherët e mijë e din, ata kanë biseduar me ta. Që tetë vite leje nuk më ipet, prej dhjetorit të vitit të kalun  deri sot leje nuk më është dhënë, a ka argument më i fortë, pse? Nuk janë dhënë paret. Unë jam i bindur, sot me ja qu paret, ma jap lejën. Ata e dinë, se ata nuk janë vetëm, kanë shpinë kanë përkrahje nuk janë vetëm, nuk i merr një person 800 mijë euro apo 600 mijë euro e dy banesa”, thotë Maxhuni.