PSD nxit rezolutë dhe projektligj për delegacion shtetëror dialogues

Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri në një konferencë për media prezantoi propozimin e tyre për votimin e një rezolute dhe një projektligji lidhur me procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Janë bërë një javë kur PSD bashkë me Nismën dhe Alternativën fillimisht kanë paraqitur rezolutën dhe tekstin e ligjit për themelin e delegacionit shtetëror. Tekste të cilat janë dakorduar edhe me përfaqësues të subjekteve të tjera të koalicionit qeverisë dhe ka qenë dashur të votohen javën e  kaluar”, tha ai.

Ymeri shtoi se rezoluta e themelon delegacionin shtetëror si organin përgjegjës për mbarëvajtjen e dialogut.

“Për qytetarët dhe për ne, procesi i dialogut do të jetë i pranueshëm vetëm nëse do të rezultojë me njohje të ndërsjellë anëtarësim në OKB dhe përshpejtimin e proceseve integruese të Kosovës në BE dhe NATO”, tha ai.

Sipas Ymerit, delegacioni shtetëror është i përbërë nga 11 anëtarë, 6 nga koalicioni qeverisës 4 nga opozita dhe 1 përfaqësues i shoqërisë civile.

Ndërkaq, nënkryetari tjetër i PSD-së, Dukagjin Gorani tha se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë refuzuar të përfshirën në diskutimet për këto dy dokumente.

“Këto dy projekt dokumente e përkufizojnë delegacionin shtetëror si entitet të vetëm që ka mandat negociues në procesin e dialogut. Projektligji i jep fuqi detyruese projekt rezolutës së PSD-së. Tekstet janë harmonizuar me AAK-në, Nismën AKR-në dhe Alternativën, ndërkohë por  presim edhe qëndrimin e PDK-së. Ndërsa LVV dhe LDK-ja kanë qëndrim kundërshtues ndaj këtyre propozimeve “, tha Gorani.

Sipas tij, këto dokumentet nuk e kufizojnë rolin e krerëve shtetëror në procesin e dialogut.

“Me këto projekt-dokumente nuk synohet as reduktimi dhe as kufizimi i rolit të askujt e veçanërisht i institucioneve kushtetuese çfarë është qoftë ai i kryeministrit kryeparlamentarit apo edhe i presidentit”, tha Gorani.

 

Rezolutat që nuk po e ndryshojnë rolin e Presidentit Thaçi në dialog