PSD fton Presidentin t’i emërojë anëtarët e KQZ-së

Shqipe Pantina deputete e Partisë Socialdemokrate tha se e mbështesin kërkesën apo deklarimet e gjitha grupeve parlamentare për funksionalizimin e KQZ.

“Përkujtojmë që tashmë janë jofunksionale ose së shpejti do të bëhen edhe një varg institucione tjera të pavarura për shkak se ju skadon mandati anëtarëve të bordeve e përgjegjësinë për emërimin e tyre e ka Kuvendi. Edhe ne si Kuvend duhet të bëhemi më të përgjegjshëm dhe t’i emërojmë me kohë anëtarët e bordeve për të cilët jemi përgjegjës”, tha Pantina.

Pantina tha se tanimë grupet parlamentare i kanë dërguar propozimet e tyre dhe konform Kushtetutës dhe Ligjit për Zgjedhje Presidenti duhet t’i emërojë anëtarët e KQZ-së.

PSD-ja sipas saj e mbështetë pjesën e parë të Rezolutës e cila thirret në Kushtetutë e në Ligj.

Ajo ka përmendur edhe vendiminn e Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje.

“E kemi aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese të cilën partitë opozitare aktuale më së shumti e kanë kundërshtuar duke e quajtur jo Kushtetues dhe duke e akuzuar KQZ-në që po ja mbanë anën koalicionit i cili kishte dalë i pari në zgjedhje dhe po e cungonte demokracinë në vend e tash thirremi në të njëjtin aktgjykim”, tha ajo.