Ilustrim

Provat e prokurorisë:59 vjeçari vdiq nga stupci

Prokuroria në Gjilan ka kërkuar sot nga Gjykata caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, pesë të dyshuarve të cilët janë përfshirë n vrasjen e cila ndodhi dje në fshatin Sadovinë e Çerkezëve në Viti, ku u vra viktima M.I, 59 vjeçar.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, të dyshuarit F.I, 20 vjeçar, B.I, 33 vjeçar, S.I, 41 vjeçar, I.I, 50 vjeçar dhe H.I, 58 vjeçar dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale vrasje e rëndë,  ndërsa i dyshuari E.I, 29 vjeçar dyshohet për  veprën penale lëndim i rëndë trupor.

Sipas Prokurorisë në Gjilan të dyshuarit dje rreth orës 09:30, në bashkëveprim kanë vrarë  viktimën M.I,  për shkak të një mosmarrëveshje rreth një kontesti pronësor.

Prokuroria ka sqaruar se të dyshuarit kanë goditur viktimën  me mjete të forta, me vegla pune dhe me dru, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.

Si pasojë e lëndimeve viktima fillimisht është dërguar në Spitalin Regjional në Gjilan, e më pas është transferuar në QKUK, ku edhe ka vdekur.

Prokuroria ka njoftuar se të dyshuarit kanë rrezikuar seriozisht jetën e bashkëshortes së viktimës, K.I, dhe të pandehurit tjetër E.I, duke iu shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Ndërsa, i pandehuri E.I., me përdorimin e atëçastshëm të dhunës, me një lopatë, i’u ka shkaktuar lëndime trupore të pandehurve I.I. dhe F.I., të cilët për shkak të lëndimeve të marra kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Emergjencën e Spitalit Regjional, në Gjilan.

KALLXO.com ka raportuar dje për vrasjen e cila ndodhi në Viti.