Provat e Prokurorisë për aferën seksuale në policinë e Gjilanit,mërgimtarja nga Zvicrra u shantazhua me video intime

Në emisonin e sotëm të “Drejtësia në Kosovë” u shfaq reportazhi ekskluziv i punës së Prokurorisë për zbulimin e një shantazhi në të cilin kishte qenë i përfshirë një polic hetues nga rajoni i Gjilanit.

Hetuesi policor që nga viti 2016 kishte shantazhuar mërgimtaren me disa video incizime të cilat i kishte shfrytëzuar për t’i marrë para.

Prokurorja e Prokurorisë Themelore në Gjilan, Rozelinda Manastiri tregoi se si arritën që të zbulonin shantazhin e policit ndaj mërgimtares.

“Është konstatuar që i dyshuari si zyrtar policor i është nda një rast për vjedhje të rëndë ku në atë rast mërgimtarja ka qenë e dëmtuar. Gjatë fazës së hetimeve nga ana e zyrtarit policor, i njëjti ka krijuar lidhje dashurie me të dëmtuarën, e më pas gjatë marrëdhënies së tyre intime ai ka incizuar dhe ka bërë fotografi ndaj të dëmtuarës. Përmes këtyre video incizimeve dhe fotografive, i dyshuari ka kërcënuar dhe shantazhuar të dëmtuarën se këto fotografi do të ia dërgoj familjarëve të saj. Aty ku është zbuluar i gjithë rasti, është momenti kur e dëmtuara ka qenë në Kosovë dhe kanë dale, i dyshuari i ka kërkuar para, e dëmtuara ka refuzuar dhe aty i dyshuari ka përdorur dhunë fizike nga ku edhe e ka larguar të dëmtuarën nga veturë me ç’rast e dëmtuara ka pësuar edhe lëndime trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor”, tregon prokurorja Manastiri.

Pas gjithë ngjarjes e dëmtuara kishte kërkuar ndihmën e Prokurorisë për gjithë rastin.

E njëjta në maj të vitit të kaluar kishte raportuar se ishte shantazhuar dhe goditur fizikisht nga hetuesi policor.

Në pesë faqe prova, Prokuroria e Gjilanit pretendon të argumentojë se një polic hetues nga Gjilani ka arritur ta shantazhojë një mërgimtare nga Zvicra.

Sipas dosjes së Prokurorisë, e tërë ngjarja kishte nisur në vitin 2016 ndërsa nga ajo kohë deri në prill të vitit 2018 polici kishte zhvatur para nga mërgimtarja.

“I njëjti kishte kërkuar disa herë me radhë që viktima t’i dërgonte para nga Zvicra në të kundërtën ai do i publikonte materiale nga lidhja intime”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

E njëjta sqaron se rasti kishte nisur të hetohej në prill të 2018-tës kur viktima kishte njoftuar në Polici se ishte sulmuar fizikisht nga polici gjatë një incidenti.

Dosja e Prokurorisë është dorëzuar tashmë në Gjykatë ku edhe është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit për policin.

09:45

Burime të KALLXO.com brenda Prokurorisë së Shtetit kanë sqaruar tutje rrjedhën se si hetuesi policor nga Gjilani u përfshi në ngacmimin e një gruaje nga diaspora.

Sipas këtyre burimeve, krejt ngjarja kishte nisur kur shtëpia e viktimës ishte vjedhur nga hajnat në kohën kur viktima ishte në diasporë.

Dyshimet janë se pastruesja e shtëpisë e kishte denoncuar rastin në Polici ndërsa hetuesi kishte kërkuar që kur pronarja të jetë në Kosovë të paraqitet në stacion.

Kur viktima kishte shkuar në stacion ajo kishte takuar hetuesin e Policisë, i cili thuhet se më pas e kishte dërguar në shtëpi.

Prokuroria është duke hetuar rrethanat se çfarë kishte ndodhur gjatë kohës kur viktima ishte dërguar në shtëpi ndërsa të njëjtat burime kanë sqaruar se pas kësaj polici dyshohet se kishte kërkuar para nga viktima.

Gruaja nga diaspora, sipas të njëjtave burime, kishte paguar afër 5 mijë euro në shuma të ndryshme te polici.

15/02/2019

Burime të KALLXO.com brenda Prokurorisë së Gjilanit kanë sqaruar se polici i arrestuar sot punonte si hetues në stacionin policor në Gjilan.

16:10

Një zyrtar policor në Gjilan është arrestuar nën dyshimet se ka kryer veprën e shantazhit dhe të lëndimit të lehtë trupor.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka dhënë detaje rreth këtij rasti.

Sipas Prokurorisë, zyrtari policor I.Sh. është ndaluar për shkak se ka shantazhuar të dëmtuarën A.S. me foto  dhe video intime.

Sipas Prokurorisë, zyrtari policor që nga muaji qershor i vitit 2016 e deri më 14 maj 2018, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, përmes telefonit dhe fizikisht, në vazhdimësi ka shantazhuar të dëmtuarën A.S, duke kërkuar nga ajo që t’i siguronte para, ose në të kundërtën ai do t’ia dërgonte familjarëve të saj fotografitë dhe video-incizimet intime, të cilat i kishin bërë së bashku, me të cilat do të dëmtohej nderi dhe autoriteti i saj.

Prokuroria ka njoftuar se i dyshuari ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj, pasi që për shkak të një mosmarrëveshje, e ka goditur me grushte në kokë dhe pjesë të trupit, duke i shkaktuar lëndime trupore, për të cilat e dëmtuara ka kërkuar tretman mjekësor në Emergjencën e Spitalit Regjional në Gjilan.

Ndaj të dyshuarit prokurori i shtetit do të marrë aktvendim për fillimin e hetimeve dhe brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesën për caktimin e paraburgimit, për shkak të dyshimit të veprave penale: shantazh dhe lëndim i lehtë trupor.

KALLXO.com raportoi më herët se zyrtari policor është arrestuar nga Inspektorati Policor i Kosovës.

“Pas veprimeve hetimore, me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Shantazh” dhe “lëndim i lehtë trupor” i njëjti është arrestuar nga Inspektorati Policor dhe me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, ka njoftuar IPK.

I njëjti punonjës i Policisë së Kosovës edhe është suspenduar deri në përfundim të procedurës hetimore.