Provat e Inspektorëve të ATK-së Bindin Prokurorin e Shtetit

Reportazhi i transmetuar nga “Drejtësia në Kosovë” tregoi për hetimin i cili ka nisur para disa muajsh e që për cak ka zbulimin e rrjetit të bizneseve shqiptare e serbe, të cilat arritën të shmangin miliona euro nga buxheti i shtetit.

Reportazhi ekskluziv i realizuar nga ekipi i “Drejtësia në Kosovë” është bërë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit.

Siç transmetoi emisioni, ekipi i “Drejtësia në Kosovë” ka përcjellë të gjitha hapat e aksionit i cili ka nisur të marrë rrugë mëngjesin e së mërkurës kur inspektorët tatimorë së bashku me Njësitë Speciale të Policisë kanë ndërmarrë aksionin e parë të bastisjeve financiare në veriun e Mitrovicës.

“Ne kemi pranuar një informatë nga Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj dhe lidhur me një dyshim për disa transaksione fiktive. Kemi përpiluar një raport të dyshimit fillestar dhe ku dyshohet se këto fatura janë vetëm në letër dhe nuk ka kurrfarë lëvizje të mallit”, tha inspektori i ATK-së Murat Mehmeti para nisjes së aksionit.

Prokurori Sahit Tmava para së të kërkojë urdhrin nga ana e  Gjykatës për t`i bastisur lokacionet e dyshimta, kërkon sqarime nga inspektorët se për çfarë veprimtarie ilegale bëhet fjalë.

“Duhet me filluar me hetimet, në bazë të kësaj që më raportuat kemi të bëjmë me veprën penale shmangie nga tatimi sipas nenit 313, paragrafi 3. KPK-së. Për me qenë më bindëse këto veprime që i keni ndërmarrë deri më tani duhet me filluar edhe më një urdhër kontroll ndaj bizneseve në fjalë dhe të shikojmë se çka mundemi me zbulu më tutje”, deklaron prokurori Tmava.

Tutje ai shton se pasi Gjykata të aprovojë kërkesën për bastisjet, varësisht nga gjetjet edhe do të veprojnë me hetimet e mëtutjeshme.

“Kërkesën që t`ia dërgojmë Gjykatës Themelore në Mitrovicë për kontrollimin e këtyre lokacioneve dhe nëse kjo kërkesë aprovohet atëherë do të shikojmë se çka do të pasojë pas urdhër kontrollit. Varësisht nga kjo ne do të ndërmarrim veprime tjera hetimore të mëtutjeshme”, thotë prokurori Tmava, pas bisedës më inspektorët tatimore.

Operacioni i bastisjeve është shoqëruar nga krismat e armëve që nuk ishin shumë larg lokacioneve që ishin cak i ATK-së dhe Policisë.