Protestuesit në Tiranë: Vuçiq e Dodik, persona non grata

19:00

Protestuesit e Vetëvendosjes kanë tentuar ta vendosin një pankartë me mbishkrimin “Persona non grata, Vuçiq dhe Dodik” te vendi ku po qëndrojnë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe presidenti i Bosnjës, Milorad Dodik.

Mirëpo, Policia shqiptare i ka penguar ata.

Kështu që Vetëvendosje ka shtrirë në tokë pankartën.

Qendra në Shqipëri e Lëvizjes Vetëvendosje po proteston në Tiranë kundër vizitës së Aleksandar Vuçiqit dhe Milorad Dodikut në kryeqytetin shqiptar.

Vuçiq dhe Dodik vijnë në Shqipëri për marrë pjesë në samitin e “Brdo-Brione”.

Qytetarë të shumtë po protestojnë para monumentit të “Vëllezërve Frashëri”, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nën motot  “Jo copëtim, duam bashkim”, “Shqipëria nuk harron, fashizmi nuk kalon”, “Vendi i Vuçiqit është Haga, jo Tirana”. “Krimet në Kosovë, krime ndaj nesh”, e shumë të tjera.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje këta janë dy politikan që kanë shprehur haptazi armiqësinë e tyre duke mohuar të drejtat e popullit shqiptar nga Lugina e Preshevës në Kosovë dhe më gjerë.

Ndërkohë Policia e Shtetit ka penguar protestuesit të marshojnë drejt qendrës së Tiranës.

Ata përmes altoparlantit kanë kërkuar që protestuesit të largohen.

“Protesta juaj është e paligjshme, Ju lutem shpërndahuni sepse do të mbani përgjegjësi ligjore!”, ishte thirrja e Policisë.

Boiken Abazi, drejtor ekzekutiv nga qendra në Tiranë ka kërkuar nga Policia që t’i lejojnë të ushtrojnë të drejtën për protestë paqësore.

Më 8 prill të këtij viti, Lëvizja Vetëvendosja ka hapur qendrën e saj edhe në Shqipëri.

Ky është aktiviteti i parë i Lëvizjes Vetëvendosje që kur ka hapur qendrën e saj në Tiranë.