Protestohet për rivendosjen e semaforave në Vushtrri

Banorët e fshatit Studime në Vushtrri kanë protestuar përsëri për shkak të largimit të semaforëve në udhëkryqin e magjistrales Prishtinë- Mitrovicë, afër fshatit Studime në Vushtrri.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti ka konfirmuar për KALLXO.com se disa banorë të fshatit Studime kanë protestuar sot rreth orës 12:00 në udhëryqin e rrugës “2 Maji” në Vushtrri.

“Protestuesit kanë qëndruar rreth 40 minuta dhe më pas janë shpërndarë të qetë” tha Zahiti.

Edhe pse Ministria e Infrastrukturës në fund të muajit maj kishte thënë se do të rivendosen semaforat brenda një jave, kjo ende nuk ka ndodhur.

Drejtori i Shërbimeve Publike në komunën e Vushtrrisë, Sedat Rashica, tha për KALLXO.com se janë takuar me menaxherin nga Ministria e Infrastrukturës dhe kanë filluar punimet po pas një kohe janë ndalur.

“ Me 7 qershor më kanë njoftuar se për dy ditë përfundojnë me punimet për rivendosjen e semaforëve, por pas kësaj janë ndërprerë punimet. Jam munduar të kontaktoj me menaxherin nga Ministria por nuk më është përgjigjur. Nuk e dimë arsyjen e ndaljes së punimeve” tha Rashica për KALLXO.com.

Ndërsa Agron Beshiri, menaxher i projektit nga Ministria e Infrastrukturës tha se punimet janë ndaluar për shkak se kompania që është kontraktuar për sinjalizim të semaforave është vonuar për të kryer punën.

“ Kompania e cila po kryen punimet ka shprehur gadishmërinë që të vendosë semaforat por punëkryesi nuk merret me këtë punë por një kompani tjetër. Pastaj e kemi ftuar një kompani e cila merret me sinjalizimin e semaforëve për të kryer punimet por ende nuk i ka përfunduar” tha Beshiri për KALLXO.com.

Ai shtoi se ka provuar të kontaktoj me kompaninë për të ditur arsyjen pse nuk po vazhdojnë punimet por nuk i është përgjigjur.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me kompaninë për sinjalizimin e semaforëve.

Bahri Asllani nga kjo kompani ka thënë se kompania e cila ka zhvilluar punimet në këtë rrugë nuk ka bërë zgjedhje dhe për këtë arsyje është kontraktuar kompania e tyre.

“ Jemi njoftuar për çështjen e semaforëve por për shkak të ngarkesës nuk kemi pasur mundësi t’i riparojmë. Nesër puntorët do të jenë të angazhuar për sinjalizimin e semaforëve në Vushtrri” tha Asllani për KALLXO.com.

Kërkesa e banorëve të fshatit Studime për kthimin e semaforëve ishte bërë për shkak të rrezikshmërisë së këtij udhëkryqi.

Zëdhënësi i policisë në rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti kishte thënë për KALLXO.com se që nga janari deri në muajin maj në këtë udhëkryq kanë ndodhur tri aksidente.

https://kallxo.com/kundershtohet-largimi-i-semaforeve-ne-vushtrri/

KALLXO.com ka siguruar fotografi nga protesta e sotme në udhëkryqin e magjistrales Prishtinë- Mitrovicë.

13 Qershor 2018 - 16:02

Afërdita Fejzullahu 13/06/2018 - 16:02
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend