Foto: Kallxo.com

Protestë në Gjilan në Njëvjetorin e Vdekjes së Arbenita Spahiut

Arbenita Selimi-Spahiu vdiq në mars të vitit të kaluar në Spitalin Regjional të Gjilanit derisa po lindte fëmijën e saj, ndërsa për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor të saj po akuzohen Maxhide Shaqiri dhe Hamide Zeqiri, derisa Vjollca Kosumi ngarkohet për mosdhënie të ndihmës mjekësore.

Protestuesit kanë marshuar edhe drejt repartit të gjinekologjisë në spitalin rajonal të Gjilanit, në vendin ku një vit më parë, Arbenita nuk arriti të mbijetojë.

Arlinda Spahiu, kunata e të ndjerës, fajësoi personelin mjekësor për vdekjen.

“Fatkeqësisht ato vazhdojnë të punojnë akoma, ato nuk u dënuan dhe vazhdojnë ta kenë shpinën e fortë”, tha Arlinda Spahiu.

Kryesuesja e Asamblesë Komunale të Gjilanit, Valentina Rexhepi Bunjaku, duke iu drejtuar protestuesve, tha se beson që organet e drejtësisë do ta nxjerrin të vërtetën për këtë rast.

Ne besojmë në organet gjyqësore dhe bëjmë apel që ata ta kryejnë punën e vet si është më së miri që të zbardhin rastin e Arbenita Spahiut. Me të vërtetë kjo tragjedi e ka prekur të gjithë komunën e Gjilanit, ne jemi vetë nëna dhe do të mund të ishim në vendin e saj, i bëj lutje prokurorisë, gjyqësisë për ta zbardhur këtë rast që të mos ketë ndikime dhe anime politike”, tha Rexhepi- Bujnaku.

Tre të akuzuarit për këtë rast janë ende në procedurë gjyqësore.

“Ky rast është ende në procedurë. Tri mjeke janë të akuzuara. seanca e radhës është caktuar për këtë muaj”, tha Sabit Shkodra, zëdhënës i Gjykatës Themelore në Gjilan.

KALLXO.com e ka përcjellë vazhdimisht gjykimin në këtë rast.

protesta arbenita spahiu2 protesta arbenita spahiu3