Pjesëmarrësit e protestës kundër dhunës ndaj grave – Foto: Këshilli Organizativ i Protestës

Protestë në Gjilan kundër dhunës ndaj grave

Në Gjilan sot është protestuar kundër vrasjes së grave si pasojë e dhunës në familje.

Në këtë protestë, e cila u organizua me moton #BollMo, kanë marrë pjesë gra aktive në OJQ, zyrtarja për barazi gjinore, zyrtarja për të drejtat e fëmijëve, gratë në politikë dhe është mbështetur edhe nga të rinjtë.

Pjesëmarrëset e kësaj proteste kanë kërkuar implementimin e ligjeve që mbrojnë të drejtat e njeriut nga çdo formë e diskriminimit.

Tri folëset nga shoqëria civile, Gjylshen Berisha, Arjeta Maka dhe Diellza Selishta kërkuan që tash e tutje rastet e dhunës në familje të trajtohen me seriozitetin më të madh e mos të neglizhohen sepse, sipas tyre, nga mosfunksionimi i plotë institucional kanë përfunduar me fatalitet 102 gra, përfshirë edhe një fëmijë

Për të mbështetur iniciativën e grave, pjesëmarrësit i ka përshëndetur kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Shpresë Kurteshi Emini, e cila u deklarua se të gjithë së bashku duhet të veprojmë për të përmirësuar gjendjen dhe shërbimet për gratë viktima të dhunës në familje.

Sipas organizatorëve, në këtë protestë, e cila përfundoi e qetë, kanë marrë pjesë afro 200 gra e burra.

Në fund te protestës aktorja Emine Toska dha një mesazh kundër dhunës me poezinë ‘’Mora Lule Sot”, thuhet në njoftimin e Këshillit Organizativ të protestës.