Protestë kundër avancimit të profesorit të dyshuar për ngacmim seksual

Studentët e Universitetit të Prishtinës të përkrahur nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), sot do të protestojnë për të kundërshtuar avancimin e një profesori i cili është denoncuar nga një kandidate- specializante për ngacmim seksual.

Protesta do të organizohet në ora 12:00 në oborrin e rektoratit.

Kërkesat e protestuesve janë që të suspendohet profesori deri në përfundim të hetimeve dhe të bëhet hetim i brendshëm për plagjiaturë, falsifikim dhe ngacmim seksual.

Njoftimi i plotë i ORCA-s:

“Studentët të Universitetit të Prishtinës, të përkrahur nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), do ta mbajnë nesër një tubim protestues në oborrin e rektoratit për të kundërshtuar avancimin e një profesori i cili dyshohet për disa shkelje të rënda disiplinore, përfshi edhe sulmin seksual.

Tubimi protestues mbahet në oborrin e rektoratit nga ora 12:00, ditën e Enjte, më 8 nëntor 2018.

Tubimi protestues mbahet kundër një profesori nga Fakulteti i Mjekësisë i cili pritet të avancohet në gradën e profesorit të rregullt. Ndaj këtij profesori janë tri akuza secila më e tmerrshme se tjetra: për plagjiaturë, për falsifikim dhe për ngacmim seksual ndaj një studenteje specializante.

Kërkesat e tubimit protestues:

  1. Suspendimi i profesorit deri në përfundimin e hetimeve.
  2. Hetimi i brendshëm për të gjitha akuzat ndaj tij të bëra për a. plagjiaturë, b. falsifikim dhe c. ngacmim seksual.

Profesori në fjalë në mbledhjen e fundit të Senatit nuk është avancuar, por është kthyer sipas procedurave për rishqyrtim, për shkak të akuzave dhe për shkak të presioneve që kemi bërë ne si organizatë dhe Kallxo.com.

Rasti i tij do të jetë sërish në Senat. Prandaj ne kemi vendosë të protestojmë”, thuhet në komunikatën e ORCA-s.