Albin Kurti dhe Isa Mustafa Foto: Haki Abazi FB

Protesta e thirrur kundër Thaçit nuk gjen përkrahje tek partitë e tjera opozitare

Protestës “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu”, të thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje për më 29 shtator ende nuk i është përgjigjur pozitivisht asnjë subjekt politik.

Disa ditë para protestës se të shtunës, kryetari e anëtarë të VV-së kanë kërkuar mbështetjen e partive opozitare, veçanërisht nga LDK.

Krerët e VV-së dhe LDK-së, Albin Kurti dhe Isa Mustafa, janë takuar sot dhe kanë biseduar për bashkëpunim opozitar dhe për ndryshimin e qeverisjes. Por, Isa Mustafa nuk ka premtuar se do t’i bashkohet protestës.

Analisti Imer Mushkolaj ka thënë për KALLXO.com se protestës së 29 shtatorit duhet t’i bashkohet LDK dhe se nuk ka arsye se pse të jetë ndryshe.

“Unë tash nuk e kam të qartë dhe nuk ma rrok se pse LDK-ja tash nuk merr pjesë në protesta ose nuk organizon protesta. Nuk po kërkohet kurrgjë tjetër, përpos një protestë paqësore, e qetë që do t’i tregonte botës se janë kundër përpjekjeve të presidentit për të çuar përpara idetë e tij që po i kundërshtojnë VV dhe LDK”, ka thënë ai.

“Nuk befasohem nëse LDK-ja do të organizonte protestë, do të ishte mirë që ta organizonte bashkë këtë të së shtunës me VV, por ndoshta do të organizojnë një protestë tjetër dhe është normale duke e pasur parasysh që në të kaluarën kanë organizuar protestë”, shtoi Mushkolaj.

Ndërsa, sipas analistit Ramush Tahiri, protesta e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje nuk duhet të jetë me patjetër e mbështetur nga subjektet tjera politike por nga qytetarët.

“Do të ishte më mirë të organizohet një tubim popullor masiv se sa një proteste, edhe se duhet të tregohet qëllimi dhe kohëzgjatja sepse kjo ua lehtëson punën organeve të policisë por edhe qytetarëve që nuk janë votues të VV-së por që për ndonjë arsye dëshirojnë të bëhen pjesë për shkak të qëllimi të saj se jo kush e ka thirrur, por mbetet me u bashku qytetaret. Ajo që unë mund të them se kjo protestë duhet të jetë e thirrur që të marrin pjesë qytetarët por jo për njerëzit që janë pjesëtarë të subjekteve politike apo veçanërisht për Vetëvendosjen”, ka thënë Tahiri për KALLXO.com. https://kallxo.com/ldk-i-rri-larg-protestes-se-vv-se/