Protesta e radhës për shkarkimin e Kryeprokurorit Lumezi

Javën e ardhshme do të mbahet protesta e radhës ku do të kërkohet shkarkimi i kryeprokurorit, Aleksander Lumezit. Protesta do të mbahet, të mërkurën nga ora 18:00.

Nga organizatorët, në ‘Facebook’ përvec kohës së protestës janë paraqitur edhe kërkesat e saj.

“Protesta e radhës mbahet në Prishtinë, të mërkurën më 29 Gusht, nga ora 18:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, me kërkesat: Shkarkimi i Kryeprokurorit; Vetingu i gjyqësorit dhe Kthimi i dinjitetit të veteranëve përmes pastrimit të listave të tyre nga mashtruesit”, thuhet në paralajmërimin e protestës.

Organizatorët kanë kërkuar përkrahjen nga qytetarët.

“Protesta e radhës po organizohet. Ti je ne, sepse ne jemi po ashtu qytetarë, si ti. Prandaj ndjeje protestën si tënden dhe bëhu pjesë e organizimit të saj: fto njerëz, printo e ngjit posterë, bëja share thirrjeve nga faqja #PROTESTOJ në Facebook, merr pjesë në takimet që i organizojmë, se ne dhe ti – jemi Ne”, thuhet në këtë postim.

Janë paralajmëruar protesta edhe në qytetet tjera.

“Pas kësaj proteste, synimi është që protestat e radhës të mbahen njëkohësisht në të gjitha qytetet në sheshet qendrore. Prandaj, filloje punën në lagjen tënde, në pjesën tënde të qytetit, në qytetin tënd, organizohu aty ku je dhe protesto duke u bërë e duke thënë #PROTESTOJ me krenari”, thuhet në këtë postim të organizatorëve të protestës.