Protesta e banorëve bllokon projektet për hidrocentralet në Gjoricë

Banorët e Gjoricës kundërshtuan në fillim të tetorit me protesta zhvillimin e një dëgjese publike për ndërtimin e dy hidrocentraleve në Zallin e Bulqizës. Kjo ishte përpjekja e tretë e kompanisë koncesionare për të mbajtur një dëgjesë publike. Procedurat për HEC-et në Gjoricë u hapën në korrik të vitit të kaluar dhe kompania Rajfi Shpk ka aplikuar në korrik të këtij viti për  Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM) të thelluar.

Ligji parashikon se përpara se të filloi punën koncesionari duhet të kryej dëgjesa publike me banorët që preken nga ndërtimi i projektit energjetik. Por tre përpjekje për t’i mbajtur dëgjesat kanë dështuar, për shkak se banorët kundërshtojnë ndërtimin e HEC-eve. Në përpjekjen e fundit banorët refuzuan të hyjnë në sallën ku ishte planifikuar dëgjesa, ndërsa protestuan jashtë saj duke bllokuar procesin.

“Nuk ka kapedan që mund të marrë Gjoricën”, tha një prej tyre, duke iu referuar këngës epike të “Hajredin Pashës” dhe një beteje në Fushë të Gjoricës.  “Gjorica është një fshat që ka 1400 hektarë tokë, që zhvillohet mbi bazën e ekzistencës së këtij lumi”, shtoi Shpëtim Kaja, ish-inspektori i mjedisi dhe banor i fshatit.

Një përfaqësues i kompanisë Rajfi Shpk i tha BIRN se kundërshtimi kishte ardhur vetëm nga dy tre veta dhe se shumica e banorëve ishin dakord. Por Agron Çerri i cili përfaqësonte në këtë dëgjesë Drejtorinë Rajonale të Mjedisit  Dibër, tha se konsultimi kishte dështuar tre herë, pasi banorët nuk pranonin të merrnin pjesë dhe as të firmosin raportet pas takimeve të mbajtura.