Dashamir Berxulli, prorektor në UP. Foto: TV21/Youtube

Prorektori i UP-së flet pas kërkesës për shkarkim shkaku i 'teksteve diskriminuese'

Zyra në Kosovë e organizatë së të rinjve “Youth Initiative for Human Rights” (YIHR) gjatë ditës së sotme ka dërguar një letër përmes së cilës kundërshton dhe kërkon anulimin e vendimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” për emërimin e Dashamir Bërxullit si prorektor për mësimdhënie dhe çështje të studentëve.

Sipas kësaj organizate, në faqen e Universitetit të Prishtinës shënon se Dashamir Bërxulli është emëruar prorektor i UP-së.

Por Prorektori i sapoemëruar, Dashamir Bërxulli, thotë se citimi i teksteve të tij si diskriminuese janë sulme personale dhe se ato tekste i janë përshtatur kohës kur janë botuar, prandaj siç deklaron ai, përmbajtjet e atyre librave mund të përditësohen.

Sipas raportit të publikuar nga YIHR KS në dhjetor të vitit 2017, është evidentuar se librat e Psikologjisë të klasës 11 dhe 12 të shtëpisë botuese Libri Shkollor, në të cilët Bërxulli është bashkautor, kanë përmbajtje seksiste, homofobike dhe diskriminuese kundrejt shumë grupeve të cenueshme në shoqëri.

“Ja një shembull: “Rezultati është që të dy trurët janë të lidhur në mënyrë të ndryshme: truri i mashkullit për të bërë dhe ai i femrës për të folur”. “Çfarë pasojash ka për shoqërinë përkushtimi i femrave ndaj karrierës?”

YIHR ka dhënë edhe shembuj tjerë të asaj që organizata e vlerëson si konstatim homofobik.

Citate të teksteve kontestuese të profesorit Dashamir Berxulli. Foto: YIHR

“Për shembull, ne dimë që cikli menstrual mund të ndikoj performancën matematike dhe verbale të femrave. Kjo na sygjeron që dallimi në performancë në rezultatet e matematikës dhe ato verbale midis femrave dhe meshkujve është i lidhur me seksin.”

“Për femrat gjithashtu është më e rëndomtë që të jenë më anksioze, të depresuara, të kenë vetëbesim paksa më të ulët dhe të përfshihen në agresivitet verbal indirekt (për shembull, shpërndarje thashethemesh të paqena.”, janë disa nga shembujt që YIHR ka shkëputur nga librat shkollorë të Bërxullit.

Organizata YIHR thekson se “Dashamir Bërxulli përmes këtyre “fakteve shkencore” tregon për mendësinë e tij patriarkale dhe diskriminuese”.

“Ne kërkojmë që ai të largohet nga pozita e prorektorit. Sistemi i lartë i edukimit duhet të jetë hapësirë ku diskriminimi luftohet e jo të legjitimohet. Përderisa kemi persona si Dashamir Berxulli pjesë të Universitetit, gjenerata të shumta do të ushqehen prej kësaj mendësie përçarëse duke ndikuar në mënyre negative në barazinë dhe drejtësinë shoqërore në Kosovë. Seksistët dhe homofobët nuk kanë vend në Universitet, e hiç më pak në strukturat e tij!”, thuhet më tej në reagim.

E për këtë reagim, prorektori, Dashamir Bërxulli, ka thënë për KALLXO.com se citimet që ka bërë kjo organizatë nga disa pjesë të librave nuk janë të argumentuara se përse janë diskriminuese, si dhe siç deklaroi ai, janë nxjerrë nga konteksti.

“Përmendja apo citimi i një teksti të caktuar nuk përbën provë për të qenit diskriminues apo të pasurit çfarëdo karakteristike tjetër? Teksti është i miratuar nga MASHT dhe referenca për bashkautorët, nëse do të kishte çfarëdo problemi, është sulm personal me qëllime, për ta thënë butë, të ulëta.”, ka thënë Bërxulli.

Sipas tij, librat në të cilët është bashkautor janë shkruar 14 vite më herët, e që siç pohon profesori universitar, kjo nënkupton se nevoja për rifreskim të gjetjeve shkencore dhe transmetimit të ideve përmes shkrimit, është një nevojë e kohës.

“Sigurisht se distanca kohore është një variabël kyçe në këtë drejtim dhe trajtimi i temave të caktuara kërkon përditësimin e informacioneve në një qasje gjithëpërfshirëse nga pikëpamja teorike. Në këtë kuptim, jam i informuar, se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka hapur konkurs për hartimin e teksteve të reja shkollore gjë që do të japë mundësi, që secila përmbajtje të përditësohet në kushtet e zhvillimeve shkencore në këtë drejtim”, përfundoi prorektori Bërxulli.

Dashamir Bërxulli është emvruar prorektor në UP pas largimit të Naser Sahitit nga kjo pozitë.

https://kallxo.com/rektori-marjan-dema-propozon-dashamir-berxullin-per-prorektor-te-up-se/