Prorektori Bërxulli kërkon falje publike për gjuhën diskriminuese në librat ku është bashkautor

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR KS) mbajti debatin publik me temën “Si trajtohet seksizmi në Universitetin e Prishtinës?”, ku u trajtuan rastet e gjuhës denigruese në tekste shkollore ndaj grave dhe komuniteteve të ndryshme në shoqëri, si dhe rastet e dyshuara të ngacmimit seksual në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Prorektori për mësimdhënie dhe çështje të studentëve, Dashamir Bërxulli kërkoi falje publike për përmbajtjen e teksteve shkollore në të cilat është bashkautor e të cilët kanë përmbajtje diskriminuese, veçanërisht ndaj grave.

Marigona Shabiu nga YIHR KS tha se seksizmi, diskriminimi gjinor dhe rastet e ngacmimeve seksuale vazhdojnë të jenë tabu në Universitetin e Prishtinës dhe se pas analizës së bërë në librat e Biologjisë, Historisë, Edukatës Qytetare, Psikologjisë dhe Sociologjisë, të shkollave të mesme, është gjetur se ka mbi 100 raste të gjuhës diskriminuese, përjashtuese, seksiste dhe homofobike.

Siç theksoi ajo, diskriminimi gjinor në këta libra është dukuri jashtëzakonisht e shprehur dhe UP-ja po vazhdon t’u japë legjitimitet dhe t’i ngritë në pozita udhëheqëse profesorët me mendësi të tillë patriarkale.

“Teuta Pustina është shkarkuar për një deklaratë seksiste, ndërsa tash UP emëron një person prorektor me një përmbajtje të librave të tij ku ai është bashkautor edhe që ka një numër të konsiderueshëm të rasteve me gjuhë seksiste dhe homofobike. Pse gratë në shoqërinë tonë po e përjetojnë këtë diskriminim kur ato po shfaqin gjuhë seksiste ndërsa burrat po i amnistojmë”, tha Shabiu.

Prorektori për mësimdhënie dhe çështje të studentëve, Dashamir Bërxulli tha se literatura për të cilën po akuzohet nga shoqëria civile dhe studentët se përmban gjuhë diskriminuese ndaj grave dhe grupeve të caktuara të shoqërisë ka 14 vite që është botuar dhe konsiderohet e vjetërsuar.

“Kam kërkuar falje publike për këtë çështje dhe mendoj që rasti nuk duhet t’i atribuohet pozicionit tim si prorektor. Mendoj që ka ardhur koha dhe ka kaluar që të ndryshojë shkrimi i këtij libri dhe të tjerave në mënyrë që të jepen ide konkrete të cilat ndryshojnë konstrukte sociale kur kemi të bëjmë me gjininë. Kam përshtypjen se ky është qëndrimi i menaxhmentit që të futet në rend dite, për shkak se pengesat ligjore në këtë drejtim nuk kanë qenë ashtu siç janë prezantuar nga disa palë”, ka deklaruar prorektori.

Nxënësi Armend Rexhepi tha se nuk e pranon kërkim-faljen e profesorit Dashamir Bërxulli sepse siç tha ai, nxënësit e Kosovës për 14 vite janë edukuar në frymën e diskriminimit.

Madje ky nxënës edhe ironizoi me një pjesë të njërit prej librave të këtij autori, duke thënë se pretendon që të shkojë për të kontrolluar trurin sepse dyshon se mos e ka të grave meqenëse flet shumë.

Rron Gjinovci nga organizata ORCA tha se ata i kanë ndihmuar studentët në organizimin e protestës kundër prorektores Teuta Pustina, e cila i ka sulmuar viktimat e ngacmimeve seksuale duke thënë se studentet duhet të kenë kujdes në mënyrën e veshjes për të evituar ngacmimin seksual.

Gjinovci para studentëve dhe prorektorit Bërxulli lexoi një pjesë të deklaratës së specializantes së Fakultetit të Mjekësisë, e cila kishte denoncuar profesorin e saj për ngacmim seksual.

“Kush t’don mundet me vesh bash çka t’dush edhe kërkush s’guxon me i thanë asnjë fjalë për shkak të veshjes. Këto ndodhin sistematikisht, vazhdimisht, pandalshëm në Universitet të Prishtinës, në tana fakultetet, jo vetëm në Fakultet të Mjekësisë, me nivele më të ulëta jo vetëm me doktoratura dhe jam i bindur se sot shumica këtu jeni gra, studente me siguri, jam i bindur absolutisht, që 90 për qind prej juve jeni ndi të kërcënuara apo jo rehat në hapësirat e universitetit”, ka thënë Gjinovci.

https://kallxo.com/kerkohet-shkarkimi-prorektores-per-deklaratat-lidhur-ngacmimin-seksual/

Si pasojë e publikimit të këtij rasti dhe rasteve të tjera që po mbesin anonime, Gjinovci paralajmëroi protestë për nesër (8 nëntor) në ora 12:00, para Rektoratit të UP-së, për të mos lejuar avancimin e profesorit të akuzuar, si dhe do të kërkohet përjashtimi i tij nga UP-ja në mënyrë që të jetë mesazh për të gjithë ngacmuesit e tjerë.

Jeta Xharra nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, BIRN, tha se pas kontaktimit të profesorit të akuzuar për ngacmim seksual nga specializantja, ai kishte mohuar kategorikisht këto pretendime duke thënë se studentja është e dobët dhe se këtë deklaratë të pabazë e ka bërë si formë shantazhi për të kaluar kolokviumet.

Mirëpo, Xharra më tej tha se është kontaktuar kjo studente dhe i është kërkuar indeksi për të verifikuar deklaratën e këtij profesori dhe është vërtetuar se në indeksin e lëshuar nga Universiteti i Zagrebit, ku ajo po kryen studimet e doktoratës, notat e saj janë të shkëlqyeshme.

“Mbrojtja e profesorit se ajo qenka studente e dobët nuk qëndron. Kemi dëgjuar që UP-ja ka mundësi që me e leju avancimin e tij edhe në ndërkohë pas emisionit që e kemi bë kur e kemi ekspozu këtë, është mobilizu profesori, është mobilizu me kriju aleanca në UP, me bë presion te rektori, po supozoj, që me ia konsideru avancimin edhe me na bo presion neve. Po na çon kërcënime ligjore që ka me na paditë, dekanen e UP-së sepse ka folë që ai ka ngacmim. Na ka kërcënu neve, na e ka çu avokatin me na padit që na kena fol në emision për të, duke mos ia kallxu anën e tij, e KALLXO.com në fakt ka kallxu anën e tij”, ka thënë Xharra.

Profesori universitar, i cili është akuzuar nga studentja e tij për ngacmim seksual, është kontaktuar nga KALLXO.com pas verifikimit të deklaratës së tij, përmes të cilës kishte pretenduar se specializantja në fjalë është studente e dobët, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje.

Ndërsa, senatori student në UP, Egzon Daku, tha se në vitin 2015 iniciativat e studentëve kanë arritur që të përjashtojnë një profesor të Fakultetit Filologjik, i cili kishte ngacmuar seksualisht një studente të tij, prandaj bëri thirrje që të mos heshten këto raste.

“Ne mundemi me marrë iniciativa të tilla që raste të tilla mos me ecë. Seksizmi në universitet nuk është një zbulim sepse është rezultat i mentalitet tonë si shoqëri. Ai ta ngritë çështjen në gjykatë dhe përmes gjykatës e fiton sepse thotë unë aty kam aplikuar për me u zgjedh me punime e nuk kam apliku për me u zgjedh a kam ngacmuar apo s’kam ngacmu. Na duhet me kriju bazën ligjore”, tha senatori student.

Pjesë e këtij diskutimi ishte edhe viktima J.B., e cila kishte raportuar rastin e ngacmimit seksual ndaj saj nga një profesor universitar. Ajo tregoi që pas deklarimit për përvojën e saj, nuk kishte pasur përkrahje dhe siç tha ajo “e kam kaluar gjithë traumën vetë”.

Studentja e cila pretendon se ishte viktimë e ngacmimit seksual në UP, në vitin 2016 tha se nuk e ka bërë publike emrin e profesorit për shkak se ka ende shpresë që institucionet përkatëse do të merren me këtë rast.

Ajo vazhdoi tutje duke thënë se UP-ja është universitet seksist dhe se një profesor në degën e Psikologjisë në UP, e ka mbrojtur ish-prodekanen Teuta Pustina, e cila sipas kësaj studente, kishte mbrojtur kulturën e fajësimit të viktimës.

“Ata që i mbrojnë personat si Pustina nuk e kanë vendin në universitet. Më kanë thënë mos e bo të madhe se qetash ky pensionohet e ty të shkatërrohet jeta. Më lypshin prova e çka kam mujt me bo në ato momente unë, me nxjerr telefonin edhe me inçizu profesorin tu me ngacmu a? Ka tentu me më prek e me më kap me zor se ka mendu që unë i nënshtrohem. Pasi ka dalë historia jem kanë dalë edhe tri gra të tjera që janë anku prej të njëjtit profesor. Kjo ngjarje ka ndikuar fizikisht edhe psiqikisht në mua”, përfundoi ajo.

https://kallxo.com/prorektori-i-up-se-flet-pas-kerkeses-per-shkarkim-shkaku-i-teksteve-diskriminuese/

Avokati Durim Osmanaj i cili përfaqëson profesorin universitar, që është akuzuar nga studentja e tij për ngacmim seksual, është kontaktuar nga KALLXO.com pas verifikimit të deklaratës së tij, përmes të cilës kishte pretenduar se specializantja në fjalë është studente e dobët dhe siç thotë Osmanaj, profesori e ka pasur fjalën për fazën specialistike.

“Ai ka fol për këtë periudhë dhe jo periudhën paraprake. Pra nuk ka këtu çka me u ballafaqu edhe s’mund të flet kjo për studimet e rregullta ose studentë të tjerë ngase ky është një profesor i një niveli tjetër. “, ka thënë avokati.

Sa i përket avancimit të këtij profesori në Senat të UP-së, Osmanaj ka thënë se klienti i tij nuk ka çështje të hapur në Prokurorin e qytetit lidhur me rastin në fjalë, prandaj meqenëse ai nuk është i hetuar për ngacmim seksual duhet të largohet pezullimi i avancimit të tij akademik.

“Asgjë nuk ka të jashtëligjshme për të vazhduar procedurën administrative të avancimit në Senat sepse është procedurë legjitime. Këto janë insinuata dhe kanë qëllime të tjera. Kam paraqitur kërkesë në formë të shkruar, për ta njoftuar rektoratin se pretendimet ndaj profesorit nuk kanë procedurë penale, për asnjë nga veprat që përfliten dhe se nuk kanë bazë për ngritjen e një vepre penale.”, përfundoi avokati Osmanaj.

Ky avokat pretendon se të gjitha këto dyshime të ngritura ndaj klientit të tij, “janë shpifje”.

 

Shënim: Ky artikull është plotësuar më 09.11.2018 me deklaratën e Durim Osmanajt, avokat i profesorit të dyshuar për ngacmim seksual.