Propozohet trajtim psikiatrik për të akuzuarin për therje me thikë

Në gjykimin e të akuzuarit Ehat Berisha për therje me thikë të Hysni Currit, dëshmoi eksperti psikiatrik Jeton Zogaj.

Eksperti Zogaj tha se i akuzuari vuan nga skizofrenia reziduale.

“Ehat Berisha vuan nga çrregullimi i përhershëm ‘skizofreni reziduale’, i cili çrregullim atakon të menduarit në formë të ideve të persekutimit dhe referencës së raporteve, e poashtu karakterizohet në formë të halucinacioneve auditive, çrregullim në sjellje në krijimin e raporteve me të tjerët dhe të gjykuarit”, deklaroi eksperti psikiatrik.

“Sa i përket veprës për të cilën akuzohet, për shkak të specifikave të sëmundjes, mungesës se kujdesit, mospërdorimit të rregullt të terapisë, ka ardhur deri te përkeqësimi i sëmundjes bazë. Andaj aftësia e tij mendore për të kuptuar rëndësinë e veprës dhe kontrollin ndaj veprimeve të veta ka qenë e përjashtuar”, tha eksperti Jeton Zogaj.

Ai i propozoj gjykatës që ndaj të akuzuarit Ehat Berisha, të shqiptohet masë e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik.

Ndërsa prokurori i rastit Ali Uka, duke u pajtuar me mendimin e ekspertit Zogaj, i propozoi gjykatës që ndaj të akuzuarit Ehat Berisha, të shqiptoj masën e trajtimit psikiatrik.

“Andaj aktakuza të trajtohet si propozim për trajtim të detyrueshëm psikiatrik me ndalim”, tha prokurori Ali Uka.

Gjatë gjykimit edhe i dëmtuari Hysni Curri, duke kërkuar vetëm shpenzimet e mjekimit të tij, i tha edhe disa fjalë të tjera.

“Ajo që me ka shtyer të vij deri këtu, besoni që nuk është urrejtja apo ndjenja për hakmarrje, por pas rastit tim pothuajse edhe 30 persona tjerë më kanë thënë që ishin kërcënuar nga i njëjti person, e që unë nuk e kam njohur. Andaj unë apeloj që të ndërmerren masa që të bëhet trajtimi i këtyre personave dhe të mos i ndodh askujt tjetër ajo çka më ka ndodhur mua”, deklaroi i dëmtuari Hysni Curri.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Ehat Berisha, avokati Besnik Haxhijanuzi, kërkoi nga gjykata që ndaj tij t’i ndërprehet paraburgimi dhe t`i vazhdohet mjekimi adekuat.

Ndërkaq kryetari i trupit gjykues Nikollë Komani i dakorduar me anëtarët Mentor Bajraktari dhe Besarta Doli, caktuan ditën e hënë për verdiktin final të këtij rasti.

Kallxo.com kishte raportuar edhe më herët për këtë rast.

Ehat Berisha po akuzohet nga Prokuroria se ka sulmuar të dëmtuarin Hysni Currin në vendin e tij të punës.

Sipas aktakuzës i akuzuari Ehat Berisha, i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore të dëmtuarit Hysni Curri, derisa ai ka qenë duke punuar si roje në Stacionin e Autobusëve në Gjakovë.

Në aktakuzë thuhet se i dëmtuari Hysni Curri në cilësinë e rojës së stacionit i kishte thënë Ehat Berishës që të largohet, ndërsa i akuzuari Berisha kishte nxjerrë thikën me gjatësi 12.5 cm dhe i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore.