Fotografi nga gjykimi për terrorizëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Foto: Kallxo.com

Propozohen Prova të Reja në Gjykimin për Terrorizëm

Në gjykimin në të cilin 5 persona akuzohen për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, avokatët mbrojtës propozuan prova të reja përmes së cilave besojnë se do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturve të tyre.

Betim Shala, avokat i të akuzuarit Bekim Halili, propozoi shkresën e “Ushtrisë së Lirë Siriane” në dy faqe në gjuhën shqipe dhe atë arabisht, përmes së cilës thotë se do të vërtetohet se i mbrojturi i tij nuk ka qenë në grupet terroriste.

Më tej, Besim Sylejmani, avokat i të akuzuarit Besim Shabani, kërkoi të caktohet një ekspert i lamisë për komunikimet elektronike, me qëllim që të japë informacion se a është e mundur të vërtetohet lokacioni i të akuzuarit në momentin e zhvillimit të komunikimit.

Përveç ekspertit të lamisë për komunikimet elektronike, Sylejmani kërkoi që të angazhohen edhe ekspertët e pavarur të cilët do të bënin ekzaminimin e fotove të propozuara nga prokuroria.

Sylejmani po ashtu propozoi që të ftohen dëshmitarët Vedat Ademi dhe Bekim Shaholli, meqë i mbrojturi i tij ka komunikuar me këta dy persona përmes telefonit. Ai i ka vlerësuar ata si ‘dëshmitarë të vlefshëm’ për zbardhjen e së vërtetës.

Por të gjitha këto propozime, prokurori i çështjes, Abdurrahim Islami, i quajti të panevojshme, duke u arsyetuar se komunikimet telefonike janë përgjuar me kërkesën e prokurorit dhe vetëm se janë konsideruar si prova të pranueshme, si dhe vendndodhja është e përcaktuar.

Më tej, ai e quajti jorelevante çështjen e ekzaminimit të fotove nga ekspertët e pavarur, pasi që tha se gjykata është ajo e cila do t’i vlerësojë këto foto.

Ndërsa për dëshmitarët e propozuar, prokurori tha se ftesa e tyre do të ishte e pakuptimtë, pasi që sipas tij Besim Shabani ka biseduar me së paku 50- 60 persona, e jo vetëm me këta të dy.

Lidhur me propozimet e mbrojtjes, kryetarja e trupit gjykues, Suzana Qerkini, do të vendosë deri në seancën e radhës e cila është caktuar më 21 shtator.

Në rast të refuzimit të kërkesave të mbrojtjes, do të vazhdohet me marrjen në pyetje të të akuzuarve.

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë më datën 7 maj 2015 ndaj Hadi Nurës, Besim Shabanit, Betim Ibrahimajt, Adil Bushit, Egzon Latifit, Jetmir Bushit, Artan Kadriut, Bekim Halilit, Zijadin Berishës, Jeton Hajdinit dhe Kujtim Bytyqit.

Dhjetë të parët akuzohen për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, ndërsa Kujtim Bytyqi për armëmbajtje pa leje.

Edhe Bekim Halili e Zijadin Berisha, përpos për pjesëmarrje në grupe terroriste akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje.

Në seancat e kaluara, Artan Kadriu, Betim Ibrahimaj, Zijadin Berisha dhe Adil Bushi kanë pranuar fajësinë për veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.

Kujtim Bytyqi kishte pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje, kurse pjesërisht e kishte pranuar fajësinë në seancat e kaluara edhe Bekim Halili.

Poashtu në seancën e kaluar, edhe i akuzuari Jetmir Bushi ka pranuar fjaësinë.

http://kallxo.com/pranon-fajesine-per-pjesemarrje-ne-grupe-terroriste/

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.