Propozohen Dëshmitarët në Gjyqin për Tenderin e Ekskursionit

Të akuzuarit në gjyqin për ekskursionin e maturantëve të Gjimnazit “Hajdar Dushi” të Gjakovës kanë propozuar disa dëshmitarë me shpresën se do të dëshmohet pafajësia e tyre.

Avokati i zyrtares së Drejtorisë së Arsimit, Teuta Vokshit, e akuzuar për shpërdorim të detyrës zyrtare, tha se për dëshmitarë propozon disa prindër, të cilët do të dëshmojnë se ishin dakord për përzgjedhjen e një kompanie më të shtrenjtë për ekskursionin.

“Në tërësi ngel pranë kundërshtimit të parashtruar me shkrim dhe i propozoj Gjykatës që në cilësinë e dëshmitarëve të mirren në pyetje tre prindër”, tha avokati Hasan Shala.

Ndërsa, avokati i Agron Lleshit, i cili akuzohet për keqpërdorim të besimit, tha se për dëshmitarë propozon drejtorin dhe zëvendësdrejtorin e Gjimnazit.

“Propozoj që në cilësinë e dëshmitarëve të ftohet Bedri Cahani, drejtor i Gjimnazit “Hajdar Dushi” si dhe zëvendësi i tij, Veton Sadrija, të cilët do të deklarohen para Gjykatës lidhur me rrjedhat e organizimit të ekskursionit në fjalë”, tha avokati Juniku.

Kurse, prokurori Ali Uka kërkoi nga Gjykata ta refuzojë kërkesën e avokatëve për hedhjen poshtë të aktakuzës.

“I propozoj Gjykatës që këto kundërshtime t’i hedhë poshtë si të pabazuara”, tha prokurori Uka.

Teuta Vokshi dhe Agron Lleshi akuzohen se si anëtarë të komisionit për përzgjedhjen e kompanisë së autobusëve që do ta realizonte ekskursionin e maturantëve kanë përzgjedhur kompaninë më të shtrenjtë.

Sipas aktakuzës, ekskursioni në fjalë është realizuar në mes të datave 2.5.2016 dhe 7.5.2016.

Tenderin për ekskursion e kishte fituar kompania “Shpat Turs”, e cila për një maturant kishte kërkuar 105 euro, e kompania konkurruese “Meti Comerc” kishte ofruar çmim prej 90 euro për person.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast gjyqësor.

http://kallxo.com/aktakuze-kunder-zyrtares-komunale-rreth-tenderit-per-ekskursionin/

http://kallxo.com/deklarojne-pafajesine-te-akuzuarit-per-tenderin-e-ekskursionit/

KALLXO.com raportoi edhe për dyshimet për kurdisje të tenderit për ekskursion të maturantëve të Suharekës. Tenderi qe anuluar.

http://kallxo.com/hoteli-bonita-zene-anulohet-ekskursioni/

Akuza e dyshime për dallavere me tenderin për ekskursionin e maturantëve pati edhe në Pejë.

http://kallxo.com/deklarojne-pafajesine-te-akuzuarit-per-tenderin-e-ekskursionit/