Promovohet një libër për ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova

Është promovuar të premten më 14 dhjetor 2018 në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë libri dy vëllimesh, “Epoka e mendjendriturit” i autorit Fadil Curri.

“Epoka e mendjendriturit”, e Currit është një poemë dy vëllimeshe që i kushtohet presidentit Dr. Ibrahim Rugova dhe vizionit të tij.

Duke vlerësuar librin studiuesi Prend Buzhala ka pohuar se shkrimi i poemës kushtuar Rugovës nga Curri është bërë brenda zhvillimeve që kanë karakterizuar shoqërinë shqiptare në Kosovës gjatë këtyre dekadave të fundit.

Sipas tij, ky libër është një kronikë në vargje me frymë rapsodike për presidentin dhe ballafaqimit të realiteteve pas shkuarjes së në përjetësi të Rugovës.

“Poeti i jep zot një mendimi racional se ndarja brendashqiptare në krah të kryengritjes paqësore dhe apo në krah të luftës është artificiale, fyese mandej edhe antishqiptare”, ka thënë Buzhala ndër të tjerash.

Ndërsa studiuesi Zymer Mehani ka pohuar se për ta shkruar këtë poemë, poeti Curri frymëzimin e gjeti në personalitetin e Dr. Ibrahim Rugova dhe në besimin e patundur të tij, që kishte ndaj vlerave perëndimore, siç ka thënë më tej Mahani, ishte ky besim për ndërtim të një shteti qytetar, i cili Kosovën, në fund të viteve ’90 të shek. XX, e shndërroi në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.

“Curri në vargjet e tij të skalitura mjeshtërisht na e ravijëzon portretin e këtij biri të denjë të popullit tonë, me të cilin të gjithë shqiptarët duhet të jenë krenarë, ngase ai ishte i sinqertë dhe gjërat i shihte ashtu si ishin, pa ndikime euforike apo politike”, ka thënë ai.