Promovohet libri me intervistat e ish-presidentit Ibrahim Rugova

Në kuadër të Javës së Bibliotekës është promovuar sot në bibliotekën “Hivzi Sulejmani”, në Prishtinë, libri “Kështu foli Rugova” (intervista 1990 – 2005), përgatitur për botim nga Munish Hyseni.

Libri përmbledh intervistat e dhëna nga Ibrahim Rugova në gazetat e revistat e asaj kohe, si “Bujku”, ‘Fjala”, “Zëri”, “Koha” “Bota e re”, ‘Victoria”, “Ora”,  etj.

Për librin folën studiuesi dhe bashkëpunëtorët të Ibrahim Rugovës, sipas të cilëve intervistat e botuara në librin “Kështu foli Rugova” pasqyrojnë më së miri personalitetin dhe vendosmërinë e Rugovës gjatë 15 viteve të të qenit të tij si njëri ndër liderët më të me ndikim jo vetëm në Kosovë.

Studiuesi Ibrahim Berisha, ish -drejtues i Qendrës Informative të Kosovës, ka pohuar se Rugova ishte një njeri mjaft i afërt dhe bashkëpunues me mediat, sidomos të huaja, duke mos refuzuar asnjëherë gazetarët.

“Intervistat ishin zhanret më të preferuara të ish-presidentit Rugova. Asnjëherë ai nuk ka dhënë intervistë me shkrim, nuk ka refuzuar asnjë gazetar, ka qenë gjithmonë i gatshëm t’i pranojë ata, por asnjëherë nuk ka dhënë intervista për mediat serbe. Një intervistë e ka me gazetën “Borba”, por jashtë kontekstit politik”, ka thënë Berisha, i cili përveç tjerash bëri një analizë të intervistave të Rugovës dhe mesazhit të tyre.

Ndërsa, Shkumbin Brestovci gjatë fjalës së tij ka potencuar se Rugova arriti që imazhin aspak të mirë për shqiptarët në botë, arriti ka kthejë në simpati.

“Ai u angazhua për të shmangur luftën dhe nisi rezistencën paqësore duke shmangur konfliktin direkt pasi ai konsideronte se ajo mund të sillte pasoja për popullin”, ka thënë ai, duke shtuar se ai ka një meritë të madhe për shtetndërtimin e Kosovës.

Ndërsa studiuesi Shkëlzen Gashi ka pohuar se përmes këtyre intervistave njihet më mirë personaliteti dhe kontributi i Rugovës në unifikimin e faktorit shqiptar të Kosovës.

“Rugova unifikoi faktorin shqiptar, për herë të parë,  në një vijë fronti, përkundër faktit se gjatë historisë shqiptarët ishin rirenditur në taborë të kundërta duke luftuar kundër njëri-tjetrit”, ka potencuar ai, duke shtuar se Rugova ka një meritë vendimtare për imazhin pozitiv të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Sipas Gashit, Rugova ishte i vendosur dhe i qëndroi në mënyrë diplomatike presioneve të ndërkombëtare duke mos dëmtuar fare raportet me ta siç ishte rasti për të mos qenë pjesë e zgjedhjeve serbe gjatë fillim viteve të ’90 të shekullit të kaluar. Ndërsa siç ka thënë ai më sukses për vitet të tëra arriti të shmangte konfliktin me Serbinë, pavarësisht presionit serb për luftë.

Ndërkaq Munish Hyseni, përmbledhësi i intervistave, ka pohuar se intervistat janë një dëshmi për të njohur më mirë personalitetin e Rugovës.

“Intervistat e përmbledhura në këtë botim pasqyrojnë  një sintetizim të ideve, mendimeve dhe veprimeve koherentë të Ibrahim Rugovës si në organizimin e brendshëm të Kosovës, ashtu në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare e në veçanti atë të Kosovës”, ka thënë Hyseni.