Promovimi i librit "Lexim filozofik i arkitekturës" - Foto: KALLXO.com

Promovohet libri  'Lexim Filozofik i Arkitekturës' i Astrit Salihut

Shoqata e Filozofëve të Kosovës ka promovuar sot librin “Lexim Filozofik i Arkitekturës” të autorit Astrit Salihu.

Me këtë rast, studiues të shkencës së filozofisë dhe të arkitekturës kanë çmuar kontributin e Salihut, duke potencuar se botimi i këtij libri mbulon një boshllëk që ekziston sa i përket mendimit filozofik mbi arkitekturën.

Studiuesit kanë thënë se libri sjell një refleksion filozofik mbi atë se çdo të thotë të banosh, duke ofruar një varg refleksionesh duke përfshirë edhe ato të autorëve modernë dhe postmodernë që kanë të bëjnë me poetikën e banimit.

Për studiuesit, libri “Lexim Filozofik i Arkitekturës” është trajtesa e parë mbi arkitekturën, ku për herë të parë përbashkohen edhe arkitektët dhe filozofët, teorizimet e arkitektëve mbi arkitekturën dhe teorizimet e filozofëve mbi arkitekturën dhe hapësirën.

Hasnije Ilazi nga Shoqata e Filozofëve të Kosovës ka potencuar se me këtë botim Astrit Salihu kontribuon në një fushë mjaft pak të prekur te ne dhe që do të ndikojë dukshëm në përceptimin dhe mendimin mbi arkitekturën te ne.

Akademik Muhamedin Kullashi ka thënë se libri sjell një risi në mendimin për arkitekturën, ai mbështetet mbi kërkimet filozofike të një numri të konsiderueshëm të autorëve që janë marrë me fushën e këtyre temave mbi arkitekturën, duke bërë një hulumtim të temave të arkitekturës.

Sipas Kullashit, njëra prej këtyre temave që është shumë specifike është pikërisht çdo të thotë të banosh.

“Çdo të thotë të banosh është do të thotë kuptimi I banimit të njeriut brenda një hapësire dhe në cilat kushte banimi mund të bëhet një banim njerëzor”, ka thënë ai.

Ndërkaq arkitektja Florina Jerliu duke çmuar kontributin e  Salihut ka thënë ndër të tjera se libri “Lexim Filozofik i Arkitekturës” do të ndihmojë shumë që  t’i iket klisheve tashmë të njohura mbi çështje të arkitektonikës dhe të hapësirës së banimit duke u fokusuar në probleme reale.

Kurse Labinot Kelmendi ka pohuar se libri është një ravigim teorik mbi arkitekturën një përbashkim në mes koncipimeve teorike e filozofike.

“Libri ndahet në dy pjesë dhe aty gjejmë arkitektët më reprezentativë që flasin për teorinë e arkitekturës si dhe filozofët, për hapësirën duke ditur që hapësira është pjesë e rëndësishme e bashkëkohësisë”,  ka pohuar Kelmendi.

Ndërsa autori Astrit Salihu ka pohuar se pavarësisht sfidave ka arritur të realizojë një synim të tij, i shtyrë që nga koha kur ai ishte profesor i Filozofisë së Arkitekturës në Fakultetin e Arkitekturës, duke vërejtur një mungesë të mendimit rreth arkitekturës.

“Më shumë ka pasur orientim të themi funksionalizim brutal dhe duke u përpjekur që studentë të përgatiten vetëm në aspektin teknik por duke mos i futur në refleksione pak më të gjera që të kontekstualizohen veprat arkitektonike”, ka thënë ndër të tjera Astrit Salihu autor I librit “Lexim Filozofik i Arkitekturës”.