Promovimi i librit 'Dimri i gjatë i vitit 1945, Tivari’ - Foto: KALLXO.com

Promovohet libri 'Dimri i gjatë i vitit 1945, Tivari’

Masakra e Tivarit, e kryer nga forcat jugosllavo- partizane në vitin 1945 në Tivar të Malit të Zi, ende mbetet e pandriçuar si duhet.

Ende ka dilema lidhur me qëllimin dhe numrin e rekrutëve shqiptarë të trevave të ndryshme të Kosovës, por nuk ka asnjë dilemë se masakra u krye dhe në vrasjen e rekrutëve shqiptarë përveç partizanëve kishin marrë pjesë edhe civilët malazias të atij qytet.

Këto konkludime dolën gjatë promovimit të librit “Dimri i gjatë i viti 1945, Tivari”, i autorëve Anna di Lellio dhe Dardan Luta, që u mbajt të martën në mbrëmje në librarinë ‘Dit e nat” në Prishtinë.

Libri është një histori e ilustruar e asaj masakre ndërtuar mbi përmes 10 storieve, rrëfimit të Shaban Pajazitit dhe rekrutëve të tjerë nga Çubreli (Skënderaj), të cilët mbijetuan për t’i treguar historitë e tyre.

Pjesë e këtij libri janë edhe burime arkivore dhe dëshmi dokumentuese shtesë të cilat autorët kanë mundur t’i konsultojnë për të krijuar një histori të kësaj masakre edhe përmes rrëfimeve të dëshmitarëve.

Duke folur rreth librit, hulumtuesi dhe publicisti  Shkëlzen Gashi ka thënë se libri ka një vlerë të veçantë pasi sjell një tregim mjaft interesant për masakrën e Tivarit, sidomos dokumente serbe, maqedonase e shqiptare lidhur me numrin e shqiptarëve të vrarë në atë masakër.

Megjithatë, sipas tij, ende nuk dihet numri i shqiptarëve të vrarë në Tivar.

“Një raport  i dy ushtarakëve serbë, të cilët kanë qenë pjesë e administrimit ushtarak në Kosovë, në vitin 1945, Toma Popovic dhe Sllobodan Uçki, të cilët potencojnë se në masakrën e Tivarit janë vrarë 450 shqiptarë, ato maqedonase flasin për 430 shqiptarë të vrarë në Tivar. Ndërsa një dokument tjetër në këtë libër i nënshkruar nga Aleksandër Rankoviq thotë se në Tivar janë vrarë mbi 300 shqiptarë. Shefqet Peçi thotë se në Tivar janë vrarë më tepër se 500 shqiptarë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se ka disa arsye që përmenden si shkaku i masakrës së Tivarit.

Ndërsa autorja Anna di Lellio ka thënë se Tivari është një histori shumë  tragjike dhe dramatike për Kosovën dhe si e tillë duhet të hulumtohet më shumë.

“Mendoj së është shumë me rëndësi për shqiptarët që të hulumtohet më shumë për këtë masakër por edhe për Luftën e Dytë Botërore. Pasi ka pasur shumë dëshmitarë që i kanë mbijetuar kësaj masakre”, ka pohuar ajo duke çmuar edhe historitë që vijnë qoftë nga dëshmitarët, dokumente e materiale tjera

Kurse Dardan Luta, bashkautor i librit,  ka potencuar se libri rrëfen masakrën përmes rrëfimit të dëshmitarëve okularë, rrëfimet e të cilëve përputhen duke ndriçuar një aspekt të kësaj historie.

Libri ‘Dimri i gjatë i vitit 1945, Tivari’ – Foto: KALLXO.com