Promovohen 'Kohë ëndërrimesh' dhe 'Kohë zhgënjimesh' të Ismail Kastratit

Shoqata e të Burgosurve Politik të Kosovës ka promovuar të martën në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”, librat “Kohë ëndërrimesh” dhe “Kohë zhgënjimesh” të Ismail Kastratit, ekonomist, dhe ish-kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.

Përmes këtyre dy vëllimeve, autori Kastrati trajton dhe analizon dy periudha mjaft me peshë për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Në librin “Kohë ëndërrimesh” autori sjellë përpjekjet, punën, veprimet dhe përpjekjet për zhvillim dhe prosperitet të vendit, veçmas në kohën e okupimit.

Ndërsa në librin “Kohë ëndërrimesh” Kastrati sjellë periudhën e pas çlirimit, siç konkludon ai përmes këtij libri, nuk ndodhi ajo që pritej, por, në shtetin e Kosovës u instalua nepotizmi, klientelizmi, u rrit korrupsioni dhe krimi i organizuar.

Pas çlirimit ka thënë autori Kastrati, gjatë promovimit të librave të tij, dhe sidomos pas shpalljes së pavarësisë, dolën në sipërfaqe shumë çështje të cilat ai i ka evidentuar në librin, ‘Kohë zhgënjimesh”, si  grabitjet, krijimi i hendeqeve sociale, nepotizim, klientelizim, etj.

“U rrit korrupsioni, krimi ekonomik, pavarësisht se këto anomali janë edhe tek të tjerët, specifikë e jona është se nuk kemi politikë të ndëshkueshmërisë së krimit dhe të korrupsionit”, ka pohuar Kastrati.

Andaj ka shtuar ai më tej nga të gjitha këto kemi një arsim dhe shëndetësi të degraduar, rritje të hendeqeve sociale, zhgënjim dhe humbjes të shpresës.

“Si rezultat i kësaj 46 % e të rinjve po t`u jepej mundësia do të largoheshin nga vendi”, ka thënë ai.

Ndërsa Hydajet Hyseni, kryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politik të Kosovës, në cilësinë e botuesit, ka thënë ndër të tjerash se e mira e këtyre dy botimeve është se janë analizuar dhe trajtuar edhe në aspektin ekonomik dhe atë se çfarë mund të arrihej po të menaxhoheshin si duhet burime që posedonte dhe posedon vendi.

Për librat kanë folur edhe recensenti Mehmet Hajrizi dhe redaktori Sulejman Dërmaku.