Drita Hajdari, Prokurore Speciale

Prokurorja: Nuk kam mundur ta rihap rastin e Vasfije Krasniqi-Goodman

Prokurorja speciale, Drita Hajdari tha se nuk ka mundur të gjejë bazë ligjore për rihapjen e rastit të Vasfije Krasniqi-Goodman për dhunim gjatë luftës.

Krasniqi-Goodman ishte gruaja e parë që foli publikisht në Kosovë lidhur me dhunën seksuale që kishte përjetuar nga disa ushtarë serb.

Për rastin e saj në një proces të tejzgjatur gjyqësor nuk ishte arritur të futet askush prapa grilave.

Pasi rasi i Vasfijes u bë publik vitin e kaluar, prokurorja Hajdari tha se do të bëjë përpjekje për ta rihapur rastin pasi ishin evidentuar shkelje në shqyrtimet e mëparshme gjyqësore në këtë rast.

“Një kohë të gjatë kam jetuar me atë dokumentacion i cili veq e murr një erë të mykut nga bodrumi. E kam analizuar nga fillimi deri në fund në përpjekjet e mija për ta gjetur ndonjë mundësi ligjore për tu rihapur rasti dhe fatkeqësisht kam ardhë në përfundim që nuk ka bazë ligjore për të rihapur rastin”, tha Hajdari.

Ajo shpjegoi se si sistemi po ia pamundëson rihapjen e rastit.

“Për ta hapur rastin nevojiten prova të reja mirëpo ligji jonë është i konceptuar ashtu që edhe nëse gjejmë prova të reja nuk mund të merret mjeti i jashtëzakonshëm për përsëritjen e procedurës në dëm të të pandehurit, vetëm në dobi të tyre”, tha Hajdari.

KALLXO.com kishte publikuar një analizë kronologjike të rastit gjyqësor të Vasfijes që nga paslufta.

https://kallxo.com/beteja-e-humbur-e-vasfije-krasniqit-per-drejtesi-ne-gjykatat-e-kosoves/