Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

Prokurorja Kërkon të Tërhiqet nga Rasti Kundër Profesorit të Saj

Gjykata e ka pranuar kërkesën e prokurores dhe gjykimin e shtyu për afat të pacaktuar.

Këtë kërkesë prokurorja Vuçetaj e bëri pasi që pas pranimit të lëndës tha se ka konstatuar “rrethana që e përjashtojnë mundësinë e përfaqësimit nga unë të kësaj procedure penale”.

“Një kërkesë të tillë do ta deponoj pranë kryeprokurorit të kësaj Prokurorie, me ç’rast deri në vendim të radhës do të njoftohet edhe Gjykata me caktimin e prokurorit që do të përfaqësojë çështjen penale në këtë rast”, tha prokurorja Vuçetaj.

Në seancën fillestare, gjatë muajit të kaluar, këtë çështje penale e përfaqësonte prokurorja Ardita Beqiraj.

Më tej, prokurorja Lumturije Vuçetaj tregoi arsyen pse nuk do të vazhdojë me këtë çështje penale.

“Të pandehurin e kam pasur profesor në studimet master dhe jemi në negociata për caktimin e temës së masterit”, tha ajo.

I akuzuari Kolë Krasniqi është profesor i Fakultetit Juridik në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë.

Sipas aktakuzës, Kolë Krasniqi akuzohet se gjatë vitit 2014 derisa ishte në pozitën e ushtruesit të detyrës së dekanit të Fakultetit Juridik në Universitetin “Haxhi Zeka”, ka kryer veprën penale hyrje në sistemet kompjuterike dhe falsifikim i dokumenteve.

Gjykata e pranoi kërkesën e prokurores për shtyrje të seancës ndonëse kundër ishte i akuzuari.

Po ashtu, i akuzuari kërkoi hedhjen e aktakuzës së ngritur ndaj tij.

Krasniqi po ashtu theksoi se është i pakënaqur me veprimet e deritanishme të Prokurorisë lidhur me mosprezantimin e provave të bashkangjitura në aktakuzë.

“Gjithashtu kërkoj të konstatohet në procesverbal se prokuroria që nga fillimi i veprimeve të saja në vazhdimësi ka atakuar të drejtat e mia, duke më akuzuar pa bazë dhe duke bërë shkelje tjera procedurale, siç është rasti me mosbashkëngjitjen e asnjë prove materiale sipas Kodit të Procedurës Penale që obligon prokurorinë që para fillimit të seancës fillestare ta njofton të pandehurin lidhur me provat e saja materiale”, tha profesori Kolë Krasniqi.

Gjithashtu, Gjykata mori aktvendim që prokuroria brenda 5 ditëve t’i dorëzojë provat materiale, të cilat duhet vendosur në shkresat e aktakuzës.