Prokurorja i ngatërron provat për hedhjen e gazit në Kuvend, i bie pishman aktakuzës

Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë së Kosovës ka ‘shpëtuar’ nga ndjekja penale për hedhje të gazit lotësjellës në Kuvend megjithëse e pranoi fajin për këtë vepër.

Prokurorja Ferdane Sylejmani ka hequr dorë nga ndjekja penale ndaj tashmë kryetarit të Komunës së Suharekës  Bali Muharremaj  dhe deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje Ismajl Kurteshi.

Muharremajn dhe Kurteshin, Prokuroria i akuzonte për përdorim të mjetit të rrezikshëm nën pretendimin se gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës kanë hedhur gaz lotsjellës.

Në fillim të seancës gjyqësore Bali Muharremaj e pranoi fajësinë për hedhje të gazit lotsjellës, kurse Ismajl Kurteshi  u deklarua i pafajshëm.

Meqenëse Kurteshi nuk  e pranoi fajësinë gjykimi vazhdoi vetëm ndaj tij me administrimin e  provave nga prokurorja Ferdane Sylejmani  e cila me fillim deklaroi se nuk ishte mirë e koncentruar për seancë.

“Nuk jam e koncentruar dhe e përgatitur për seancë, meqenëse sapo jam kthyer nga pushimi” prokurorja tha Sylejmani.

Megjithatë seanca vazhdoi me prezantimin e provave materiale nga ana e prokurores.

Pas shikimit të video incizimeve nga Kuvendi i Kosovës, prova me të cilat Prokuroria pretendonte se do të vërtetohej se Kurteshi kishte hedhur gazin lotsjellës, u vu në pah se këto video incizime i përkisnin kohës kur ishte zhvilluar procedura për zgjedhjen e Presidentit e jo për Demarkacion për çka po zhvillohej kjo procedurë penale.

Lidhur me këtë fakt prokurorja Ferdane Sylejmani tha se vetëm pas shfaqjes së tyre po e vëren që nuk ishte video-incizimi i duhur përkundër kësaj ajo tha se të njëjtat veprime ishin kryer edhe në seanca tjera prandaj kërkoi që ky video incizim të pranohej si provë.

Për këto deklarime reagime pati edhe nga i akuzuari Ismajl Kurteshi i cili tha se ky video-incizim nuk kishte të bënte fare me rastin për të cilin ai po akuzohet.

Kurse  Gjykata e shpalli të papranueshme një provë të tillë e cila kishte datë tjetër dhe nuk ishte për rastin konkret e as nuk përputheshin me datat e shënuara në aktakuzë.

Në kuadër të provave prokurorja Sylejmani prezantoi edhe një foto-dokumentacion ku sipas saj do të vërtetohej kryerja e veprës penale mirëpo kjo provë nuk përmbante as datë as kohë e as nuk ishte në origjinal por ishte marrë nga një lajm i publikuar në gazetën ditore “Zëri”.

Më pas edhe mbrojtësi i të akuzuarit Kurteshit, avokati Arlind Jupolli kërkoi nga Gjykata që këto prova ti shpallë si të papranueshme pasi sipas tij nuk kanë të bëjnë fare me rastin për të cilin akuzohet klienti i tij.

Më pas edhe vetë prokurorja Sylejmani kërkoi që kjo provë të mos administrohet.

“Meqenëse ky video incizim që u prezentua sot nuk ka të bëjë me datën dhe kohën e përshkuar si në dispozitiv të kësaj aktakuze heqi dorë, dhe propozoj që e e njëjta të mos administrohet si provë materiale” tha Ferdane Sylejmani

Kurse Gjykatësi Hamdi Ibrahimi vendosi që këto prova më pas t’i shpallë të papranueshme.

“Gjykata shpall prova të papranueshme këtë foto-dokumentacion si dhe video-incizimin e prezantuar si prove materiale nga prokurorja e shtetit. Video incizimi i propozuar nuk ka të bëjë fare me objektin e aktakuzës sepse ky video-incizim i referohet zhvillimit të ngjarjeve në seancë e Kuvendit kur është proceduar në lidhje me zgjedhjen e presidentit të vendit. Sa i përket foto-dokumentacionit Gjykata ka konstatuar se prokurorja e shtetit gjatë shqyrtimit gjyqësor ka dështuar që gjykatës ti ofroj origjinalin dhe kur dhe nga kush është bërë ky foto-dokumentacion sepse i njëjti ska fare datë as kohë dhe është i nxjerr në formën copy- paste nga faqja e gazetës ditore “Zëri”, tha gjykatësi Hamdi Ibrahimi.

Por pasi nuk u a pranuan këto  prova Gjykata revokoi në fund edhe pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Bali Muharremaj.

“Me rastin e prezantimit të provave nga prokurorja është vërtetuar se lidhur me këtë çështje penale prokurorja nuk ka prezantuar prova materiale me të cilat do të vërtetonin gjendjen faktike sipas dispozitivit të aktakuzës e që do të thotë se pranimi i fajësisë nuk është në pajtim me provat të cilat gjenden në shkresat e lëndës”, tha gjykatësi  Hamdi Ibrahimi.

Duke qenë se Gjykata i shpalli të papranueshme provat nga ana e prokurorisë, prokurorja Ferdane Sylejmani tha se tërhiqet nga ndjekja penale për dy të akuzuarit.

Më pas  kryetari i trupit gjykues Hamdi Ibrahimi shpalli aktgjykim refuzues me arsyetimin se prokurorja e shtetit gjatë këtij shqyrtimi gjyqësore hoqi dorë nga ndjekja penale.

Sipas aktakuzës  Bali Muharremaj  dhe Ismajl Kurteshi akuzohen për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm  në kohën sa ishin në opozitë në legjislativin e vendit  kur nëpërmjet këtyre formave kundërshtonin dy marrëveshjet e qeverisë atë për demarkacionin me Malin e Zi si dhe Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe.

Sipas aktakuzës  më 26 shkurt 2016 në Kuvendin e Kosovës kanë përdorur armën apo mjetin e rrezikshëm dhe kanë penguar personat zyrtar dhe secili veç e veç ka hedhur gaz lotsjellës me qëllim të ndërprerjes së mbledhjes dhe që të pamundësohet  zhvillimi i punimeve në Kuvend.