Gjykata në Ferizaj

Prokurorja Heq Dorë nga Aktakuza për Trafikim

Gjykata Themelore në Ferizaj nxori aktgjykim refuzues në rastin ku të akuzuar për trafikim me njerëz në bashkëkryerje ishin  A.K. dhe M. J.

Gjykata mori këtë vendim pasi që prokurorja Florije Shamolli-Salihu u tërhoq nga aktakuza e datës 11 dhjetor 2011.

Në këtë rast u mbajtën disa shqyrtime gjyqësore nga janari i vitit të kaluar, ndërsa seanca e fundit mban datën e 21 marsit 2017, kur prokurorja në fjalën përfundimtare u tërhoq nga aktakuza.

Avokati Nikë Shala mbrojtës i të akuzuarës A.K, tha se gjatë seancave të mbajtura para trupit gjykues të Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Ferizaj me asnjë prove të vetme nuk u vërtetua aktakuza.

“Se të akuzuarit nuk e kanë kryer këtë vepër penale ne bashkëveprim e ka dëshmuar edhe vetë e dëmtuara e cila ka deklaruar se nuk ka qenë e trafikuar, se nuk është dërguar nëpër motele të ndryshme të Kosovës dhe se nuk e ka ndier veten të dëmtuar dhe nuk i është bashkëngjitur ndjekjes penale, e as nuk ka parashtruar kërkesë pasurore juridike”, tha Shala.

Shala e vlerësoi profesionale prokuroren Shamolli-Salihu e cila u tërhoq nga aktakuza.

Prokurorja Florije Shamolli-Salihu së fundmi është avancuar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj në Prokurorinë Speciale të Kosovës.