Prokurorja Drita Hajdari sqaron pse u la i lirë Millosh Petkoviq

Prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Drita Hajdari, ka dhënë sqarime lidhur me rastin e Millosh Petkoviqit, për të cilin mediat raportuan se është liruar nga Gjykata e Prishtinës, pasi është gjetur i pafajshëm rreth dyshimeve për pjesëmarrje në masakrën në Krushë të Vogël të Prizrenit në mars të vitit 1999.

Në një prononcim për KALLXO.com, prokurorja Drita Hajdari tha se rasti i Petkoviqit është trashëguar nga EULEX-i.

Prokurorja tha se pas ekstradimit të Petkoviqit nga Hungaria, Prokuroria Speciale ka zhvilluar hetime dhe ka intervistuar dëshmitarë, të cilët mund të ofronin ndonjë dëshmi për të.

Mirëpo, siç tha prokurorja, përveç dëshmitarit A.L., dëshmitarët e tjerë kanë deklaruar se nuk kanë njohuri për përfshirjen e Millosh Petkoviqit në krimet të kryera në fshatin Krushë e Vogël.

“Dëshmia e dëshmitarit A.L., i cili ka deklaruar se Millosh Petkoviq ishte në grupin e disa personave të armatosur të cilët kanë shtënë në drejtimin e tij, nuk ka qenë e mjaftueshme për ngritjen e aktakuzës për krimet e luftës, meqë sipas pohimit të dëshmitarit në fjalë, ai nuk e ka parë drejtpërsëdrejti të pandehurin Millosh Petkoviq, pasi që ishte duke ikur dhe i kthyer me shpinë”, tha Drita Hajdari.

Prokurorja speciale tha se përveç dëshmitarëve, prokurorja e rastit ka bërë verifikimin në dokumentacionin “on line” të Tribunalit të Hagës, por emri i Millosh Petkoviqit nuk figuron në ndonjë rast.

Po ashtu, Prokuroria Speciale ka kërkuar verifikimin edhe nga Zyra e Fondit për të Drejtën Humanitare në Prishtinë, e cila ka njoftuar se personi Millosh Petkoviq nuk kalon në data bazën e tyre.

Drita Hajdari tha se lajmi për arrestimin e Millosht Petkoviqit ishte publikuar, andaj të gjithë ata që eventualisht kanë ditur për përfshirjen e tij në ndonjë krim, kanë pasur jo vetëm mundësi por edhe obligim të kontaktojnë prokurorin e rastit.

“Mirëpo, fatkeqësisht një gjë e tillë nuk ndodhi. Përveç dëshmitarit A.L., asnjë person tjetër nga fshati Krushë e Vogël, nuk tregoj interesim për rastin.  Siç më ka njoftuar dëshmitari A.L., ai ka ftuar disa herë fshatarët në takim për të diskutuar nëse dikush dinë ndonjë gjë lidhur me personin në fjalë, mirëpo as me këtë rast askush nuk është paraqitur si dëshmitarë”, tha prokurorja.

“Në një situatë të tillë, për shkak të mungesës së provave kam kërkuar nga gjykata ndërprerjen e paraburgimit ndaj Millosh Petkoviqit”, theksoi ajo.