Gjykimi ndaj Sokol Bashotës dhe të tjerëve - 27.05.2019...

Prokurorja: Bashota kishte pasuri milionëshe kur e fitoi edhe banesën nga Komuna e Klinës

Sokol Bashota, Esat Raci, Fadil Gashi dhe Enver Berisha vendosen të mos deklarohen para gjykatës dhe të mbrohen në heshtje.

Kryetari i PDK-së në Klinë, ishte i shkurtë në përgjigjen e tij për mbrojtje.

“Mbrohem në heshtje”, tha shkurt Bashota

Sikurse Bashota u përgjigjen edhe tre të akuzuarit e tjerë.

Në fjalën përfundimtare prokurorja Sahide Gashi deklaroi se Sokol Bashota e kishte fituar banesën në Kline si kandidati më i poentuar.

“I akuzuari Sokol Bashota kishte fituar banesën me poenat maksimale me 150 pikë”, tha Gashi

Prokurorja ia numëroi pasuritë që kishte Sokol Bashota në momentin kur e kishte fituar banesën në Klinë.

“Bashota ka pasur pasuri milionëshe, tokë në Matiqan, banesë në Prishtinë, veturë Mercedes, kamion, traktor, furgon dhe të hyra vjetore rreth 20 mijë euro”, tha Gashi

Bashota dhe tre zyrtaret e tjerë po përballen me akuzat e Prokurorisë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ata akuzohen se në mënyrë të kundërligjshme i kishin përfituar banesat me nga 110 metra katror, me qira nga 20 euro në muaj për vetveten dhe eksponentët e partive të tyre politike.

Në aktakuzë thuhet se këtë e kishin bërë pa plotësuar kriteret objektive dhe duke i anashkaluar aplikantët me gjendje të dobët ekonomike.

Çmimi të cilin do ta paguanin katër të akuzuarit për ato banesa sipas Prokurorisë, ishte 20 euro në muaj.

Prokuroria pretendon se Sokol Bashota si kryetar i degës së PDK-së, në Klinë, Esat Raci si sekretar i PDK-së në Klinë, Enver Berisha kryetar i degës së AAK-së dhe Fadil Gashi si kryetari i LDK-së, në Klinë kishin rënë dakord që ta ushtronin fuqinë e tyre politike për t’i siguruar votat e asamblistëve të kuvendit komunal për ndarjen e banesave.

Në aktakuzë përshkruhet se Bashota në cilësi të kryetarit të Klinës në mënyrë kundërligjore kishte emëruar pesë anëtaret e komisionit vlerësues për ndarjen e banesave duke e pasur parasysh interesin e tij personal si aplikant në atë proces.

Kryesues i atij komisioni ishte përzgjedhur Prenk Palushi i cili tani është gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Klinë.

Në aktakuzë përshkruhet se ish- kryetari Bashota e kishe udhëzuar kryesuesin e komisionit Prenk Palushi që ta prezantonte një listë prej 10 përfituesish si të para aprovuar.

Aktakuza përshkruan se në shtator të vitit 2009 kryetari Bashota kishte marrë 9 vendime për ndarjen e banesave duke e miratuar vendimin e Kuvendit Komunal në të cilën si përfitues të atyre banesave ishin identifikuar 10 persona, duke përshirë vet Sokol Bashotën dhe tre të akuzuarit e tjerë.

Prokuroria pretendon se pas marrjes së vendimeve përfundimtare për ndarjen e banesave, Sokol Bashota dhe Esat Raci nuk i kanë informuar fare kandidatët e pasuksesshëm, dhe i kanë fshehur dokumentet që kanë pasur të bëjnë me procesin e ndarjes së banesave.

Mbi ish-kryetarin e komunës së Klinës, Sokol Bashota, poashtu rëndon edhe vepra penale për mos raportim apo raportim të rremë të pasurisë, të ardhurave, dhuratave apo dobisë tjetër materiale apo detyrimeve financiare.

Katër të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm rreth akuzave që rëndojnë mbi ta.

Gjykimi ndaj Sokol Bashotes dhe te tjereve – 27.05.2019