Prokuroria: Vrasja e trefishtë erdhi nga problemet familjare

Sot, rreth orës 13:00 në rrugën “Bill Klinton” në lagjen “Dardania” në Prishtinë ndodhi në vrasje e trefishtë.

Sipas Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, dorasi është H.K, 61 vjeçar dhe të vrara janë edhe gruaja e tij R.K, 60 vjeçare së bashku me rejën e tij H.K 28 vjeçare.

“Si duket, deri te vrasja ka ardhur nga problemet e tyre familjare. Mbetet t’i vërtetojmë, por mendojmë që edhe më herët kanë pasur probleme në familje, burri dhe gruaja”, ka deklaruar Beka për KALLXO.com.

I pyetur nëse i dyshuari për vrasje ka pasur ndonjëherë armë pa leje dhe nëse ndonjëherë viktima, gruaja e tij, është paraqitur në polici për problemet familjare, Beka ka thënë se në ditët në vazhdim do t’i verifikojnë të gjitha këto informacione.

Ndërkohë, gjatë ditës  Imer Beka, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Prishtinës në një deklarim për media nga vendi i ngjarjes ku mbetën të vrarë tre persona, tha se personi që ka kryer veprën ka qenë me probleme psikike.

“Personi që ka bërë këtë vepër ka qenë me probleme psikike ose me probleme mendore, sepse sipas djalit të tij ai shpesh herë ka qenë në kontrolle të psikiatrisë”, tha Beka para gazetarëve.

Në momentin kur ndodhi rasti tragjik, kishte qenë edhe një fëmijë i djalit të burrit që kreu vrasjen. Sipas Kryeprokurorit Beka, fëmija tashmë është nën përkujdesjen e prindit të vet.

“Fëmija është marrë nga prindi, babi, dhe është çuar në vend të sigurt te familjaret e tjerë”, ka deklaruar Beka.

Të tjera detaje rreth rastit tragjik mund t’i gjeni KËTU.