Prokuroria tregon si mbeti i vrarë polici në Podujevë

H.Zh, zyrtar i Policisë së Kosovës është vrarë mbrëmë në fshatin Penuh të Podujevës.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Imer Beka, tha për KALLXO.com se rasti është cilësuar si vrasje nga pakujdesia, duke dhënë detaje se si kishte ndodhur ngjarja.

Sipas Kryeprokurorit Beka, djali i vëllait të policit së bashku me fëmijët e policit kanë qenë duke e pastruar një pushkë gjuetie e cila më pas është shkrepur dhe ka qëlluar policin me inicialet H. Zh.

“Ngjarja ka qenë kështu, ata (T. ZH dhe fëmijët e policit) kanë qenë duke e pastru pushkën e gjuetisë. Gjatë pastrimit, arma është shkrepur dhe ka qëlluar policin. Kjo ka bërë që ai të mos i mbijetoj plagëve dhe ka vdekur. Është arrestuar i dyshuari T. ZH nga ana e policisë dhe është dërguar në mbajtje. Ai gjatë ditës së sotme do të lirohet për shkak të varrimit. Mund të ju them se nga hetimet deri më tani, rasti po cilësohet si vrasje nga pakujdesia”, tha Beka për KALLXO.com

KALLXO.com ka raportuar mbrëmjen e kaluar në lidhje me vrasjen e policit 58 vjeçar me inicialet H. Zh.

https://kallxo.com/policia-jep-detaje-per-vrasjen-e-zyrtarit-policor-ne-podujeve/

https://kallxo.com/nje-oficer-i-policise-ne-podujeve-vdes-nga-plaget-e-shkaktuara-nga-arma-e-zjarrit/