Ilustrim Policia në vendin e ngjarjes - Foto: KALLXO.com

Prokuroria sqaron vrasjen në restorantin afër Prishtinës

Viti 2018-të kishte nisur  me vrasje në rrethin e Prishtinës, në festimet për vitin e ri Muhamet Osmani ishte qëlluar me pistoletë në njërin prej restoranteve ku mbahej muzikë për festën e vitit të ri.

Afër dhjetë muaj pas ngjarjes prokuroria e shtetit pretendon të ketë zgjidhur dilemën e vrasjes së Muhametit. Në aktakuzën e saj prokuroria e quan vrasje aksidentale ngjarjen përderisa për të njëjtën bënë përgjegjës Ylber Zekollin.

Aktakuza përshkruan se Ylber Zekolli gjatë një përleshje me Sadat Latifin, gjatë kohës kur po e qëllonte këtë të fundit me kondakun e revoles arma kishte shkrepur aksidentalisht.

Plumbi sipas prokurorisë kishte goditur Muhametin në gjoks.

Aktakuza përfshinë edhe dy miq të dorasit, të akuzuarit Ardian Krasniqi e Shaban Rexhepi së bashku me të akuzuarin tjetër Ylber Zekolli pasi që e dërgojnë të ndjerin Muhamet Osmani në QKUK i kanë ndihmuar Ylber Zekollit të shmanget nga arrestimi.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Shaban Rexhepi ia ka dhënë veturën e tij të akuzuarit Ardian Krasniqi që ta largojë të akuzuarin tjetër Ylber Zekollin, me qëllim që t’i shmangej organeve të drejtësisë.

Pjesë e aktakuzës është edhe Sadat Latifi, të cilit në i cili sipas prokurorisë ishte përleshur me Ylber Zekolli e po ashtu me dashje e kishte goditur me grushte në fytyrë tanimë të ndjerin Muhamet Osmanin.

Dilemat se çka kishte ndodhur atë natë pritet të definohen në gjykatë. Procesi gjyqësorë i paraparë për të martën pasi që njëri nga mbrojtësit e të akuzuarve deklaroi se nuk është pajisur me të gjitha shkresat e lëndës.

“Ne si mbrojtje nuk jemi pajisur me të gjitha shkresat e lëndës, konkretisht me të gjitha provat e propozuara në aktakuzë nga ana e Prokurorisë. Pasi që të pajisemi me të gjitha shkresat e lëndës, juridikisht neve do të na jepet mundësia që t’i analizojmë në mënyrë që i mbrojturi im të vazhdojë me deklarim rreth fajësisë”, tha mbrojtësi i të akuzuarit Sadat Latifi, avokati Veton Rrecaj.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Ylber Zekolli, avokati Naser Sopjani pati vërejtje në lidhje me cilësimin e veprës penale ndaj të mbrojturit të tij.

“Në raport me të mbrojturin tim ne kemi dilemë a me e pranu fajësinë. Ndoshta kishim shku në pranim të fajësisë nëse është cilësimi juridik në raport me veprën penale. Përshkrimi faktik nuk përkon me cilësimin e veprës. Unë mendoj se ky përshkrim faktik është për një vepër krejt tjetër”, deklaroi avokati Sopjani.

Ai u shpreh se në rast se Prokuroria do të bënte ricilësimin e veprës penale atëherë i mbrojturi i tij do të deklarohej menjëherë në lidhje me fajësinë.

“Nëse do ta bënte tani Prokuroria një ricilësim në pajtim me faktet e çështjes, me prova dhe materiale që i posedon vetë Prokuroria e që nuk është asnjë pengesë ligjore sepse do t’i kontribuonte vetëm drejtësisë, ne do të deklaroheshim sot, mbi pranimin e fajësisë”, shtoi avokati.

Sopjani i kërkoi kryetares së trupit gjykues, gjyqtares Anita Krasniqi-Prenaj që për shkak të periudhës së gjatë kohore ndaj të mbrojturit të tij të ndërpritet masa e paraburgimit apo që e njëjta të zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak por një kërkesë e tillë u refuzua nga kryetarja e trupit gjykues.

Pasi që avokati Rrecaj deklaroi se nuk ishte i pajisur me të gjitha shkresat e lëndës me kërkesën e tij shqyrtimi fillestar u shty për datën 24 tetor.