Milaim Zeka, NISMA.

Prokuroria Speciale reagon ndaj deklaratave të Milaim Zekës

Prokuroria Speciale e Kosovës ka reaguar ndaj një deklarate të deputetit të Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka, i cili ka pretenduar janë 3 dëshmitarë sipas të cilëve prokurori Afrim Shefkiu ka deklaruar se aktakuzën ndaj Zekës e ka ngritur me urdhër të presidentit Hashim Thaçi.

Këtë deklaratë, Prokuroria Speciale e cilëson të pavërtetë dhe tendencë për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

“Tendencat e tilla të deputetit Zeka, kanë filluar menjëherë pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale, kundër tij, me ç‘rast i njëjti e kishte kërcënuar prokurorin Shefkiu, gjë për të cilën, Prokurori i Shtetit ka hapur rast”, thuhet në reagimin e Prokurorisë Speciale.

Në njoftimin e publikuar sonte, Prokuroria Speciale thotë se aktakuza ndaj deputetit Milaim Zeka është ngritur në bazë të provave materiale që vërtetojnë bindshëm veprimet inkriminuese të tij, në lidhje me veprat penale, që i vihen në barrë.

Ky është reagimi i plotë i Prokurorisë Speciale:

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, sqaron opinionin publik se deklarimet  e sotme, të deputetit të Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka, se kinse “…tre dëshmitarë e dëshmojnë që prokurori, Afrim Shefkiu, ju ka deklaru tre personave që akuzën ndaj deputetit Zeka e ka ngritur me urdhër të Presidentit Thaçi”, janë deklarime të pavërteta, dhe me tendencë ndërhyrjeje në sistemin e drejtësisë.

Tendencat e tilla të deputetit Zeka, kanë filluar menjëherë pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale, kundër tij, me ç‘rast i njëjti e kishte kërcënuar prokurorin Shefkiu, gjë për të cilën, Prokurori i Shtetit ka hapur rast.

Prokuroria Speciale sqaron se aktakuza ndaj deputetit, Milaim Zeka, është ngritur në bazë të provave materiale që vërtetojnë bindshëm veprimet inkriminuese të tij, në lidhje me veprat penale, që i vihen në barrë.

Prokurori i Shtetit është institucion i pavarur, i paanshëm dhe i ndërtuar mbi parime kushtetuese dhe ligjore dhe nuk ndikohet nga deklarimet e tilla, të paqëndrueshme dhe të pavërteta.”