PTK - Foto: KALLXO.com

Prokuroria Speciale Nis Hetime Ndaj Agron Mustafës dhe Zyrtarëve të Telekomit

Rreth tetë muaj pasi kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës, Agron Mustafa njoftoi se ka shpëtuar nga falimentimi kompaninë që ai drejton, Prokuroria Speciale e Kosovës është duke hetuar lidhur me marrëveshjen PTK- ZMobile  dhe rrethanat që i paraprinë kësaj marrëveshjeje.

KALLXO.com mëson se pjesë e hetimit është edhe vetë  Agron Mustafa dhe dy persona të tjerë që  janë duke u hetuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës

Hetimi është ngritur pasi Njësia e Krimeve Ekonomike të policisë ka ngritur një kallëzim penal në Prokurorinë Speciale.

Në të njëjtin kalëzim, sipas këtyre burimeve, nuk ka të përfshirë zytarë apo pronarë të kompanisë Z Mobile.

Pas ngritjes së kallëzimit penal, hetimi për këtë rast i është besuar prokurorit special Abdurrahim Islami. Ky i fundit në një prononcim për KALLXO.com ka konfirmuar hetimet ndaj Mustafës dhe të tjerëve.

“Po, mund të konfirmoj se po hetohen tre persona për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa aktvendimi për nisjen e hetimeve është nxjerrë më datën 21 dhjetor të këtij viti”, tha Islami për KALLXO.com.

I kontaktuar nga KALLXO.com kryshefi ekzekutiv i Telekomit  Agron Mustafa është shprehur i habitur me këto veprime të policisë.

“Wow!…Mua për Z Mobile?!…Habi e madhe. Kontrata është nënshkrua me 2008, unë kam fillu punën në Telekom në fund te muajit shkurt 2015, ndërsa kërkesa për fillimin e  procedurës së Arbitrazhit ka fillu në fillim të muajit prill 2015”, tha Mustafa.

Mustafa më tej tha se dyshon se e gjithë kjo mund të jetë një gabim i policisë.

“Dyshoj që policia mund të bëjë një gabim të tillë. Mund të merrni edhe padinë e Z Mobile kundër Telekomit e ta shikoni, Agron Mustafa nuk ekziston si dëmtues i Z Mobile. Sinqerisht po më befasoni. Do ta shoh se ku qëndron ngatërresa”, thuhet në përgjigjen e Mustafës.

Më 24 maj të këtij viti, Telekomi i Kosovës dhe Dardafon (Z-Mobile) arritën  marrëveshje për përmbylljen e vendimit të arbitrazhit rreth kontratës për operator virtual të telefonisë mobile.

Vendimi u paraqit si një triumf për kompaninë pasi e lironte telekomin nga obligimi i pagesës prej 30 milionë eurove për kompaninë Z Mobile.

Në vitin 2016 gjykata e arbitrazhit kishte vendosur në favor të kompanisë Z Mobile në kontestin me Telekomin. Vendimi krijonte obligime për të kompensuar një dëm prej 30 milionë eurosh.

Menjëherë pas vendimit, pushtetarët dhe njerëzit e drejtësisë kishin reaguar duke këkruar hetime dhe përgjegjësi për këtë humbje.

Gjakrat ishin qetësuar disa muaj më vonë kur Telekomi dhe Z Mobile u dakorduan që vendimi për pagesën e 30 milionë eurove të mos zbatohej.

KALLXO.com kishte raportuar ekskluzivisht lidhur me prapaskenat juridike të kësaj marrëveshjeje.

Prapaskenat Juridike të Marrëveshjes ‘Z-Mobile’ – Telekomi i Kosovës