Prokuroria Speciale nis hetimet për fotografinë e publikuar nga Flora Brovina

Pak orë  pasi deputetja e PDK-së, Flora Brovina shfaqi një fotografi ku shihej dhunimi i një gruaje kosovare nga forcat serbe, Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se do të nisë hetimin për zbardhjen e këtij rasti.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin se me të marrë lajmin që deputetja e PDK-së, Flora Brovina, ka paraqitur një fotografi që sipas saj dëshmon dhunimin e një gruaje 35 vjeçare nga ushtarët serbë gjatë luftës në Kosovë, do ta hap hetimin, ndërsa do të ftohet deputetja Brovina për dhënien e informacionit lidhur me viktimën për të cilën ajo pohon se është e gjallë, si dhe, dorëzimin e fotos dhe dëshmive që ajo pohon se i ka lidhur me këtë rast dhe raste të tjera”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Në njoftim bëhet e ditur se Prokuroria Speciale nuk ka pasur informacion paraprak për këtë rast.

“Prokuroria Speciale, njofton që vetëm pas publikimit të fotos nga deputetja Brovina e ka kuptuar për ekzistencën e kësaj dëshmie, pasi që deri me tani për një fotografi të tillë nuk kemi pasur informata, as nga deputetja Brovina e as nga dikush tjetër”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Po ashtu, Prokuroria Speciale, fton të gjithë ata që kanë dëshmi të ndryshme, si video, fotografi apo edhe dëshmi tjera të cilat mund të jenë të rëndësishme për identifikimin e kryerësve të mundshëm të veprave penale që lidhen me krimet e luftës, ti sjellin në Prokurorinë Speciale, pasi që në një shtet ligjorë provat dhe dëshmitë për krimet të pretenduara dorëzohen së pari në prokurori apo polici e jo përmes mediave apo gjatë debateve parlamentare.

Deputetja e PDK-së, Flora Brovina ka publikuar sot në Kuvendin e Kosovës disa fotografi të viktimave civile të dhunuara gjatë luftës në Kosovë.

https://kallxo.com/flora-brovina-publikon-foto-te-dhunimeve-gjate-luftes-ne-kosove/