Arkiv - Ivan Todosijeviq - Ish ministër

Prokuroria Speciale interesohet për deklaratat e ish-ministrit serb për masakrën e Reçakut

Prokuroria Speciale ka filluar grumbullimin e informacioneve lidhur me deklaratat e tanimë ish-ministrit të ‘Qeverisë Haradinaj’, Ivan Todosijeviq.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar prokurori special Sylë Hoxha.

“Ju njoftoj se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka iniciuar rast ndaj ish-ministrit të Administratës së Pushtetit Lokal, I.T. lidhur me deklaratat e bëra. Prokuroria Speciale tani është në fazën e grumbullimit të informative lidhur me këtë çështje”, ka deklaruar shkurt për KALLXO.com prokurori Hoxha.

Ish ministri Todosijeviq ka deklaruar se: “Arsyeja për agresionin ndaj shtetit tonë ishte e ashtuquajtura katastrofa humanitare në Kosovë dhe Reçaku i fabrikuar (masakra më 1999), dhe terroristët shqiptarë ishin ata që e kanë shpikur këtë dhe kanë kryer krimet më të mëdha në Kosovë”.

Lidhur më këtë deklaratë, të Teodosijeviqit, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të martën e ka shkarkuar nga detyra ministrin Administratës së Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq.

Haradinaj njoftoi se vendimin e ka marrë pas gjuhës së urrejtjes nga Todosijeviq.

“Është e patolerueshme një gjuhë e tillë e urrejtjes nga ministri në fjalë. Është e pakuptimtë se si një deri sot kolegë i yni shprehet me aq injorancë, urrejtje dhe fyerje për viktimat e Reçakut, viktimat e tjera të regjimit të Millosheviçit dhe akceptimin dhe miratimin që ai i bëri terrorit të këtij regjimi. Kjo nuk arsyetohet”, shkroi Ramush Haradinaj.

“Në Qeverinë që unë e drejtoj nuk do të ketë vend për askë që në çfarëdo mënyre fyen të tjerët në bazë etnike, racore, fetare apo tjetër, e as ata që synojnë të akceptojnë politikat e tilla. Vendimi hyn në fuqi menjëherë”, shkroi Haradinaj në profilin e tij në “Facebook”.

Ditë më parë, kryeministri ka shkarkuar edhe zëvendësministren e Drejtësisë, Vesna Mikiq, pikërisht për shkak të qëndrimit të saj rreth bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë dhe luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.

https://kallxo.com/kryeministri-haradinaj-shkarkon-ministrin-teodosijeviq/