Prokuroria: Shkumbin Mehmeti Kërkoi Lirimin për të Folur për Vrasjet

Prokuroria e Shtetit në një komunikatë të lëshuar sot dha informacione rreth angazhimit të saj në lidhje me deklaratat e Shkumbin Mehmetit për vrasjet e pasluftës.

Prokuroria tregoi se Mehmeti ka kërkuar të lirohet nga dënimi me burg prej 30 vjetësh rreth një vrasjeje të kryer në vitin 2004 për të dëshmuar rreth asaj që di për disa vrasje të pasluftës.

“Prokuroria e ka autorizuar policinë që ta marrë në pyetje, tani të dënuarin Sh. M., mirëpo i njëjti policisë ia ka kushtëzuar dëshminë, duke kërkuar që Prokuroria, paraprakisht të ndikojë në prishjen e aktgjykimit të plotfuqishëm, me të cilin është dënuar me burg prej 30 vjetësh”, thuhet në komunikatën e prokurorisë.

Prokuroria më tutje sqaron se nuk mund të prishë dënimin e Mehmetit, por është e gatshme t’ia zbusë dënimin.

“Prokuroria nuk mund të prish aktgjykimin e plotfuqishëm, por, nëse është i gatshëm të dëshmojë, si Prokurori, në kuadër të autorizimeve, do ta përkrahnim kërkesën e tij për zbutje të jashtëzakonshme të dënimit”, vijon komunikata.

Shkumbin Mehmeti, dëshmitar i mbrojtur i Prokurorirsë Speciale të enjen në Klan Kosova foli për vrasjet e Tahir Zemajt dhe policëve Sebahate Tolaj e Isuf Haklaj.

Deklarata e tij shkaktoi reagimin e familjeve të këtyre personave që kërkuan nga shteti ta marrë seriozisht dëshminë e Mehmetit.

http://kallxo.com/familjet-zemaj-tolaj-e-haklaj-te-tronditura-nga-deshmia-televizive-e-shkumbin-mehmetit/

Prokuroria më tutje në komunikatë tregoi për një letër që e mori nga Shkumbin Mehmeti në vitin 2016.

“Më vonë më 29.11.2016, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka pranuar një letër të tij, ku thuhet se dëshiron të takohet me prokurorët, për të dhënë informata në lidhje me vrasje”, thuhet në komunikatë.

Prokuroria sqaron se Mehmeti është sjellë nga policia në Prokurorinë Speciale më 27 janar 2017.

“Ai ka specifikuar se është duke bashkëpunuar me prokurorin e EULEX-it të PSRK-së, vetëm dhe ekskluzivisht në lidhje me rastin e quajtur ‘Olympia’, lidhur me vrasjen e dy oficerëve të UNMIK-ut, si dhe vrasjen në tentativë të dy oficerëve të tjerë, përkatësisht për rastin që ka ndodhur në Podujevë, më  23 mars 2004”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Prokuroria tregon se Mehmeti ka kërkuar që çështja e dënimit të tij të kthehet në rigjykim, por këtë sipas komunikatës nuk ka mundur t’ia garantojë Prokuroria Speciale.

Prokuroria në fund tregon se ka nisur me kohë hetimet për vrasjet e pasluftës.