Prokuroria: Rrënimi te "Abi Çarshia" është i kundërligjshëm

Prokuroria Themelore në Prizren ka mbajtur konferencë në lidhje me rrënimin e një pjese të kompleksit të qendrës tregtare ‘Abi Çarshia’ në Prizren.

Kryeprokurori i këtij rajoni,  Admir Shala ka thënë se veprimet e deritanishme të Komunës së Prizrenit dhe vendimi për rrënim të aneks objektit të Abi Çarshisë në ditën kur Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka nxjerrë udhëzimin për aplikim për legalizimin e objekteve pa leje, janë në kundërshtim me ligjin.

“Nëse investitori ka aplikuar për legalizim të objektit, objekti nuk guxon të rrënohet, edhe nëse aplikacioni nuk është pranuar kjo nuk mund të ndodhë pa i shfrytëzuar edhe mjetet e ankesës edhe në shkallë të parë edhe të dytë. Përderisa komuna nuk ka dalë me ndonjë vendim për legalizim duhet të përmbahet nga veprimet tjera, të cilat mund të jenë të kundërligjshme dhe në kundërshtim me ligjin për legalizimin e ndërtimeve pa leje, kjo çështje është nën hetim penal dhe përderisa jemi në hetime, i lutemi zyrtarëve që të përmbahen nga veprimet e kundërligjshme”, ka deklaruar Shala.

Sipas prokurorit Shala zyrtarët e komunës kanë sfiduar organet e sigurisë dhe kanë krijuar situatë të palakmueshme.

Sa i përket investitorit Abi Çarshia, prokurori Shala ka thënë se çështja ka qenë e pazbatueshme për shkak të mungesës së udhëzimeve administrative për legalizimin e objekteve pa leje.

“Ligji për legalizim, neni 11 paragrafi 6 i detyron organet kompetente që të mos e rrënojnë asnjë objekt nëse është aplikuar për legalizim, kështu që Komuna duhet të vendosë së pari për kërkesën për legalizim dhe nëse bëhet vendimi i plotfuqishëm të fillojë me rrënimin në bazë të ligjit në fuqi. Udhëzimi administrativ i shpjegon qartë se si bëhen kërkesat për legalizim, mosnjohja e ligjit dhe akteve nënligjore nga kushdo qoftë dhe sidomos nga persona që janë të thirrur, nuk e liron nga përgjegjësia penale askënd”, ka shtuar ai.

Tutje Shala ka thënë se sulmet ndaj policisë dhe ndaj prokurorisë është i pabazë dhe i papranueshëm.

“Policia vepron në bazë të prokurorit dhe prokuroria vepron në bazë të ligjit dhe ligji duhet të zbatohet njëjtë për të gjithë. Duke pasur parasysh edhe sulmet e fundit ndaj prokurorisë së shtetit nga organet kompetente, ne u bëjmë me dije të gjitha organeve se institucioni i prokurorisë është i pavarur dhe i paanshëm dhe veprojmë në bazë të ligjit dhe askush nuk mund të ndikojë prokurorisë në çështjet hetimore”, ka përfunduar Shala.

Drejtoria e Inspektoratit në Prizren me datën 19 korrik ka shkuar të rrënojë një pjesë të qendrës tregtare të quajtur ‘Abi- Çarshia’, në pronësi të Irfan Fushës, ish-kandidat për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës.

Inspektorati është penguar dhe nuk është lejuar që të fillojë rrënimin e objektit.

Abi Çarshia” është pronë e Irfan Fushës, ish- kandidat për deputet të PDK-së. Në anën tjetër, Komuna e Prizrenit po udhëhiqet nga Mytaher Haskuka që vjen nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në një konferencë dhe deklarim publik avokati i Kompanisë “Abi Çarshia “ Engjëll Rexhepi ka thënë se të gjitha veprimet e ndërmarra nga inspektorati i Ndërtimtarisë janë veprime të kundërligjshme.

Ndërsa për ndaljen e këtyre veprimeve të kundërligjshme i njëjti thotë se kanë kërkuar asistencë nga organet e rendit të cilat sipas tij kanë refuzuar që t’i asistojnë.

Historiku i problemit me leje në ‘Abi Çarshi’

Komuna e Prizrenit kishte nisur rrënimin e objektit në shtator të vitit të kaluar, mirëpo pronari i objektit ishte zotuar se do të bëjë vetë rrënimin e objektit me arsyetimin se duhet të ketë kujdes për mos-dëmtim të pjesës tjetër të objektit të njëjtë.

Në të njëjtin ditë, kur pronari i këtij objekti ishte pajtuar për rrënim të objektit pa leje, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë ka ndërhyrë duke e anuluar vendimin e Komunës së Prizrenit për rrënim.

Ky proces i rrënimit është përcjellë me akuza për politizim të çështjes e deri tek akuzat se ‘Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka marrë vendime të jashtëligjshme’.

“Drejtoria e Urbanizmit dhe planifikimit hapësinor ka lëshuar leje të reviduar. Edhe pse me leje pas matjeve rezulton përafërsisht 35% e objektit të ndërtuar janë me tejkalim të lejes dhe në atë pjesë (zonë) ka plan të hollësishëm rregullativ ku objekti me tejkalime ka uzurpuar rrugën që është paraparë si pas planit të hollësishëm rregullativ. Më 31.07.2018 Drejtoria e Inspektoratit nxjerrë vendim për rrënim vullnetar sipas procedurave ligjore në afat 15 ditësh dhe palës i jep të drejtë që të ushtrojë ankesë”, kishte treguar Thaqi për KALLXO.com në muajin shtator.

Sipas Thaqit, pronari i objektit nuk e kishte filluar rrënimin vullnetar dhe për këtë arsye më datën 24 gusht, Drejtoria e Inspektoratit nxori vendim për ekzekutimin e rrënimit.

Ndërsa në datën e fillimit të rrënimit, pra më 27 gusht, Irfan Fusha ka dërguar ankesë në Komunë ku kërkohet shtyrja apo pezullimi i aktvendimit për rrënim. Në të njëjtën ankesë, Fusha e ka njoftuar Komunën se ka bërë ankesë edhe në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor lidhur me këtë çështje.

Në të njëjtën ditë, pra me 17 gusht Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nxjerr vendim që e aprovon ankesën e pronarit Irfan Fusha dhe kërkona anulimin e vendimit të komunës së datës 31.07.2018 që kërkoi rrënimin vullnetar të pjesës së objektit.

Ky vendim është në një vijë me qëndrimin e investitorit.

“Organi i shkallës së dytë i MMPH-së, konstatoi se Aktvendimi me nr. 17-354-38-56-2, me datë 31.07.2008 të  Drejtorisë së Inspektorateve- Komuna Prizren është i pabazë për shkak se investitori posedon leje ndërtimi. Ndërsa sipas procesverbalit nr 0004509, me datë 26.07.2018 të Drejtorisë së Inspektorateve- Komuna Prizren mbi konstatimin e gjendjes faktike në terren është konstatuar si në vijim: ndryshimet janë bërë brenda kufijve të vijës rregullative, ndërtimore, urban”, thuhej në vendimin e ministrisë.

Ministria i ka kërkuar Komunës së Prizrenit që atë kohë të ndal procesin e rrënimit.

“Obligohet Drejtoria e Inspektorateve të mos ndërmerr asnjë veprim, ndërsa aneksi shtesë i ndërtuar pa leje në kuadër të objektit me leje të trajtohet sipas Ligjit për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje”, thuhej në vendim.

Kujtojmë se sipas Drejtorit Komunal të Inspektorateve, kjo drejtori ka dërguar kallëzim penal ndaj Fushës.

“Vlen të theksohet se 05.07.2018 nga Drejtoria e Inspektorateve z.Irfan Fusha i është bërë Kallëzim Penal për heqjen apo dëmtimin të vulave apo shenjave zyrtare  neni 4141 te Kodit Penal të R.Kosovës  dhe për punime ndërtimore të kundër ligjshme neni 368 te kodit penal të R. Kosovës 04/L-82”, ka treguar drejtori i Inspektoratit.

https://kallxo.com/drejtori-i-haskukes-sqaron-arsyet-e-rrenimit-ne-abi-carshia/

https://kallxo.com/abi-carshia-reagon-ndaj-rrezimit-te-objektit-kerkon-kompensim-nga-komuna/

https://kallxo.com/inspektorati-ne-prizren-pengohet-ta-rrenoje-objektin-pa-leje-ne-abi-carshia/

https://kallxo.com/ndalimi-i-dyshimte-i-rrenimit-te-objektit-prone-e-kandidatit-te-pdk-se-per-deputet/