Milorad Dodik. Foto: SNSD.

Prokuroria Refuzon Hetimin e Dodik-ut për Nxitje të Urrejtjes

Prokuroria shtetërore boshnjake tha të hënën se nuk do të hetojë një ankesë penale kundër Milorad Dodikut që u paraqit nga Shoqata e Viktimave dhe Dëshmitarëve të Gjenocidit, duke thënë se nuk kishte baza për dyshime se krimin e kreu ai.

Ankesa, e paraqitur në qershor 2015, pretendonte se Dodik tregoi mungesë respekti për viktimat e krimeve të kryera nga lidershipi ushtarak dhe politik i Republikës Serbe dhe mohoi që kundër boshnjakëve nga Srebrenica në vitin 1995 ishte kryer gjenocid.

Prokuroria tha në deklaratë se komentet e Dodikut në një intervistë të botuar nga gazeta Veçernje Novosti në maj të vitit 2015 nuk kishin “natyrë ofenduese”.

“Megjithatë, përshkrimi faktik i një krimi duhet të përmbajë fakte dhe rrethana që i referohen paramendimit të të dyshuarit, që do të thotë se ai/ajo është i vetëdijshëm se, duke përcjellë fjalë ofenduese, ai/ajo po shkakton ose mund të shkaktojë urrejtje etnike ose fetare”, shtoi deklarata e prokurorisë.

“Në këtë rast konkret asnjë qëllim i tillë në anën e personit të raportuar nuk është përcaktuar në bazë të provave”, tha ai.

Shoqata e Viktimave dhe Dëshmitarëve të Gjenocidit njoftoi se do të apelojë kundër vendimit.

“Shpjegimi tregon se janë kryer hetime, përfshirë një hetim i Milorad Dodikut dhe gazetarit që e mori në intervistë atë, por Veçernje Novosti dhe botuesi i saj nuk kanë arritur t’i sigurojnë prokurorisë një kopje origjinale të numrit ku është botuar intervista e përmendur,” tha kryetari i shoqatës, Murat Tahiroviq.

Prokurorët shtetërorë thanë se Veçernje Novosti i informoi ata se i shkatërroi arkivat e gazetës një muaj pasi numri u printua dhe shpërnda.

“Mesa di unë, të gjitha mediat mbajnë arkiva të numrave që ato botojnë. Prandaj ne do të apelojmë brenda afatit ligjor”, tha Tahiroviq.

Shoqata tha se në intervistë Dodik këmbënguli së në Srebrenicë në vitin 1995 kishte ndodhur një krim, por jo gjenocid, duke ofenduar viktimat dhe vendimet e dhëna nga Gjykata e Hagës.

Dodik pohoi gjithashtu se numri i viktimave të masakrës së Srebrenicës ishte ekzagjeruar dhe “manipuluar nga zyrtarë politikë nga Sarajeva”, tha shoqata.