ARKIV: Arrestim i një të dyshuari nga Policia e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Prokuroria: Radomir Antiç u arrestua pasi iu gjet arsenal i armëve

Radomir Antiç është arrestuar para disa ditëve nën dyshimin e kryerjes së veprës penale të posedimit të armëve pa leje.

Kryeprokurori i Gjilanit, Jetish Maloku, për KALLXO.com, konfirmoi se Radomir Antiç është arrestuar pasi të njëjtit i është gjetur një arsenal i madh i armëve në shtëpi.

“E konfirmoj që ndaj Radomir Antiç i është caktuara masa e paraburgimit për 30 ditë, nën dyshimin e kryerjes së veprës penale armëmbajtje pa leje”, tha Maloku për KALLXO.com.

Të njëjtën e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe avokati i Antiç, Vlastimir Petroviç.

“Klienti im është në paraburgim dhe po hetohet për armëmbajtje pa leje”, tha Petroviç.

Radio Kontakt Plus, raportoi se ndaj Radomir Antiç, Prokuroria e Kosovës ka filluar një hetim për dyshimin se i njëjti ka kryer krime lufte në zonën e fshatit Verbicë e Zhegovcit, afër Gjilanit gjatë vitit 1999.

Kryeprokurori Jetish Maloku nuk ka dashur të komentoj në lidhje me këtë informatë. Ndërsa, avokati Petroviç ka mohuar lajmin që i mbrojturi i tij, Radomir Antiç është arrestuar për krime lufte.