Foto: Atdhe Mulla

Prokuroria Pranon Raportin e Autopsisë së Deharit

Instituti i Mjekësisë Ligjore dorëzoi sot në Prokurorinë Themelore të Prizrenit raportin e autopsisë për Astrit Deharin.

Lajmin e bëri të ditur Prokuroria e Shtetit me anë të një komunikate.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit informon opinionin publik se Prokuroria Themelore në Prizren ka pranuar sot raportin e autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për të ndjerin Astrit Dehari,” thuhet në komunikatë.

Në komunikatë thuhet se kryeprokurori i Prizrenit Sylë Hoxha ftoi familjarë të Deharit dhe avokatin e tyre Tomë Gashin për ta marrë një kopje të raportit të autopsisë.

“Menjëherë pas pranimit të këtij raporti kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren Sylë Hoxha e ka ftuar përfaqësuesin e familjes Dehari avokatin Tomë Gashi, që së bashku me prindërit e të ndjerit Astrit Dehari gjatë ditës së sotme të vijnë në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit për ta pranuar një kopje të raportit, si dhe për t’u informuar për të gjeturat gjatë procesit të autopsisë,” vijon komunikata.

Prokuroria e Shtetit tregon se do të jetë transparente në lidhje me këtë raport autopsie.

“Për hir të transparencës dhe informimit të drejtë të opinionit publik, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, në konsultim me familjen Dehari ndërkohë do ta informojë opinionin publik me rezultatet e raportit të pranuar sot nga Instituti i Mjekësisë Ligjore,” sqarohet në komunikatë.

Autopsia e Deharit u bë më 7 nëntor, ndërsa në të morën pjesë edhe ekspertë të pavarur të caktuar nga familja Dehari.

http://kallxo.com/syle-hoxha-astrit-dehari-ka-vdekur-nga-asfiksia/

Astrit Dehari vdiq më 5 nëntor derisa po mbahej i paraburgosur si i dyshuar për sulmin e 4 gushtit në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.