Gjykimi për vrasjen në Peqan - Foto: KALLXO.com

Prokuroria përshkruan ‘vrasjen mizore’ në Suharekë

Nën masa të rrepta të sigurisë është mbajtur sot seanca në gjykimin për vrasjen në Peqan të Suharekës.

Prokuroria e Prizrenit për vrasjen në “mënyrë mizore” të Abedin Bytyçit akuzon vëllezërit Murat e Reshat Ademi.

Pjesë e aktakuzës është edhe Fadil Fetiu, i cili akuzohet për moslajmërim të veprës penale, ndërsa Resmije Bytyçi për shtytje në vrasje.

Në seancën e sotme në Gjykatën Themelore Prizren, ishte e paraparë të jepnin mbrojtjen e tyre të akuzuarit, por një gjë e tillë nuk ndodhi pasi pati propozime për prova të tjera dhe propozime që të dëgjohen dëshmitarë të rinj.

Gjatë seancës kishte momente të kundërshtimit ndërmjet  prokurorit të çështjes dhe mbrojtësve të të akuzuarve lidhur me propozimet e mbrojtësve për shikimin e disa momenteve nga CD-të e ofruara si prova.

Gjatë shqyrtimit kryetari i trupit gjykues gjyqtari Xheladin Osmani dhe anëtari i trupit gjykues gjyqtari Artan Sejrani, disa herë ua tërhoqën vëmendjen palëve, që në rast të polemikave të tjera do të ndërmerrnin masa disiplinore si ndaj prokurorit ashtu edhe ndaj përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit Blerim Mazreku, pasi që gjatë seancës ata kishin kundërshtime lidhur me provat e ofruara.

Ndërsa gjatë shqyrtimit ku ishte e paraparë të jepnin mbrojtjen e tyre të akuzuarit, para kësaj fillimisht mbrojtësi i të akuzuarit Murat Ademi, avokat Hajrip Krasniqi propozoi që të bëhet shikimi i dy CD-ve, pamje këto nga dita kur kishte ndodhur ngjarja kritike.

Por përfaqësuesi i palës së dëmtuar deklaroi se pos këtyre dy CD-ve që janë të propozuara si prova ekzistojnë edhe disa CD tjera të cilat janë me rëndësi dhe se duhet të bëhet dëgjimi dhe shikimi i tyre. Në këto CD përfaqësuesi deklaroi se paraqiten biseda në mes të akuzuarve Reshat Ademi dhe Fadil Fetiu.

Ndërsa prokurori i çështjes Genc Nixha, nuk i kundërshtoi propozimet e palëve mirëpo deklaroi se pos atyre dy CD-ve që janë të propozuara si prova, nga CD-të që po i propozonte përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Prokuroria ato CD i ka paraqitur si transkripte, ndërsa pamje dhe incizime tjera nuk janë relevante për çështjen dhe përfshihen persona të tjerë që nuk lidhen me aktakuzën, andaj deklaroi që nuk janë të nevojshme për paraqitje.

Si përfundim trupi gjykues mori vendim që të bëhet shikimit dhe dëgjimi edhe i CD-ve që janë të paraqitura si transkripte.

Nga këto video dhe audio incizime kishte momente kur shiheshin të akuzuarit Fadil Fetiu dhe Murat Ademi në rrugët rajonale Peqan- Studençan.

Më tutje nga dëgjimi i CD-ve të propozuara nga përfaqësuesi i palës së dëmtuar, kryetari i trupit gjykues konstatoi se në bisedë dëgjohen duke biseduar i akuzuari Fadil Fetiu me të akuzuarin tjetër Reshat Ademin. Mbrojtësi i të akuzuarit Reshat Ademi, avokati Arben Ramadani pati vërejtje ngase gatë bisedës sipas tij i mbrojturi i tij orientohet kah implikimi në veprën penale, sipas direktivave të përcjella nga Fadil Fetiu.

Para përfundimit të seancës i akuzuari Murat Ademi, propozoi që të thirren dy dëshmitarë tjerë, për të cilët ai konsideronte se janë me rëndësi për çështjen dhe se kanë dijeni për ngjarjen e ndodhur në ditën kritike.

Lidhur me propozimin e këtillë kundërshtime nuk patën prokurori i shtetit dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, por të njëjtit deklaruan që për propozimet e tilla i akuzuari ka qenë në njohuri edhe më parë, dhe në rast se janë me rëndësi për çështjen është dashur t’i paraqesë më parë, duke marrë parasysh që 5 herë është dëgjuar në Prokurori. Megjithatë, të njëjtit mirëpritën çdo propozim që dërgon drejt zbardhjes të së vërtetës dhe gjendjes faktike.

Mbrojtësi i të akuzuarës Resmije Bytyçi, avokati Bashkim Nevzati, lidhur me propozimin e të akuzuarit deklaroi se “duke parë mënyrën e propozimit të dëshmitarëve të rinj, në fakt ky propozim përveç akuzimeve të deritanishme drejt të akuzuarës Resmije Bytyçi, është drejtuar edhe në përfshirje të personave të tjerë”.

Si përfundim trupi gjykues mori vendim që të ftohet vetëm njëri nga dy dëshmitarët e propozuar, ngase nuk ka asgjë kontestuese për çka do të vërtetonte me deklaratën e tij personi i dytë i propozuar si dëshmitar.

Këtu shqyrtimi u shty dhe u caktua për datat 21 dhe 22 nëntor, me qëllim që të arrihet të bëhet dëgjimi i dëshmitarit të ri dhe të japin mbrojtjen e tyre të akuzuarit.

https://kallxo.com/plaku-shperthen-ne-lot-ma-vrane-se-ma-vrane-djalin-po-pse-ja-djege-trupin/

Sipas aktakuzës vëllezërit Murat e Reshat Ademi, akuzohen se më 06.10.2018 rreth orës 15;30 minuta në fshatin Peqan të Suharekës në bashkëkryerje, mizorisht kanë privuar nga jeta Abedin Bytyçin.

Motivi i krimit sipas Prokurorisë ishte bashkëshortja e të ndjerit, Resmije Bytyçi.

Prokuroria në aktakuzë ka sqaruar edhe veprimet konkrete të secilit.

Murat Ademi, sipas aktakuzës, kishte shfrytëzuar situatën kur i ndjeri po kryente disa punime në elektrikë në shtëpinë e Fadil Fetiut.

Aty siç përshkruan aktakuza Murati nën kërcënimin e armës e kishte lidhur viktimën. Pasi e kishte lidhur, Murati e kishte hipur viktimën në veturë dhe e kishte dërguar në një vend ku po priste Reshat Ademi. Në këtë vend, siç përshkruhet në aktakuzë, dy të akuzuarit e kanë goditur me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore në trupin e të ndjerit.

Sipas përshkrimit të Prokurorisë, të pandehurit nuk ishin mjaftuar me rrahjen kur në mënyrë mizore viktimës ia kishin vënë zjarrin duke i shkaktuar dhimbje deri në shkaktimin e vdekjes. Të akuzuarit më pas e kishin vendosur viktimën në një gropë dhe e kishin mbuluar me dhe.

Aktakuza përshkruan se të pandehurit kishin vazhduar në një takim ku kishin pirë kafe me Fadil Fetiun.

Nga të gjitha veprimet Prokuroria i akuzon Murat e Reshat Ademin për veprën penale të vrasjes së rëndë, Fadil Fetiun për moslajmërim të veprës penale ndërsa Resmije Bytyçin për shtytje në vrasje.

Prokuroria pretendon se ka prova që bashkëshortja ishte shtytësja e vrasjes.