Ilustrim

Prokuroria Nis Hetimet për Mishin nga Belgjika

Pak kohë pasi skandali i mishit me cilësi të dyshimtë të importuar nga Belgjika u bë kryelajm i medieve në Kosovë, Prokuroria Themelore e Prizrenit ka nisur hetimet lidhur me këtë  çështje.

Përmes një njoftimi për media, Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se sipas detyrës zyrtare dhe në bashkëpunim me Kryeprokurorin e Shtetit, ka filluar hetimet kundër personave përgjegjës dhe subjekteve juridike, të cilat kanë importuar nga Belgjika sasi të mishit me cilësi të dyshimtë.

Hetimi është filluar në   drejtim të veprës penale: “prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimor”, nga neni 267, të KPRK-së.

Në njoftim bëhet e ditur se kjo prokurori përmes urdhrit të gjyqtarëve kompetent të procedurës paraprake në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Njësinë e Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren dhe inspektorët e Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinarisë, ka kryer bastisje dhe kontroll në shtëpitë dhe lokalet e subjekteve juridike, njëra në territorin e Rahovecit dhe tjetra të Suharekës dhe ka sekuestruar provat e nevojshme për procedurë penale, si dhe sasi të mishit me afat të skaduar.

Prokuroria Themelore në Prizren do të vazhdojë hetimet në rastin konkret dhe do të njoftojë publikun për rrjedhën e këtij rasti.

Krejt në fund, Prokurori i Shtetit kërkon nga të  gjithë ata që kanë informata lidhur me këtë,  që t’i drejtohen Prokurorisë dhe të bashkëpunojnë me organet e ndjekjes për zbardhjen jo vetëm të këtij rasti por edhe rasteve tjera për të cilat mund të kenë njohuri.