Prokuroria në Gjilan ngrit tri aktakuza për dhunë ndaj grave

Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur sot tri aktakuza për dhunë në familje.

Në rastin e parë, sipas aktakuzës, i pandehuri B.A, më 29 dhjetor 2018, në Gjilan, me veprimet e tij dhe me dashje ka përdorur dhunë fizike ndaj të dëmtuarës K.C.

I pandehuri pas një mosmarrëveshje, duke i kërkuar shpjegime rreth punës së saj, e ka goditur me shuplakë, pastaj përsëri e godet në veturë duke shkuar tek një qendër tregtare, si dhe kur kthehen në banesën e tyre, prapë fillon ta ofendojë dhe kërcënojë me fjalë, ku në një moment i vërsulet me një kabllo në dorë, por e dëmtuara arrin të largohet nga vendi i ngjarjes.

Prokuroria ka njoftuar se në rastin e dytë, i pandehuri S.S, më 25 dhjetor 2018, në komunën e Gjilanit, në një kafiteri, nën ndikimin e alkoolit, për shkak të xhelozisë rreth një telefonate, fillimisht ia ka marr telefonin bashkëshortes së tij, të dëmtuarës F.K, dhe e ka sulmuar duke e kapur për flokë dhe duke e  goditur me grushte në fytyrë.

Sipas aktakuzës, pasi kanë shkuar në shtëpi, i pandehuri  përsëri e  ka goditur me grushte në kokë.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se e pandehura, F.K si pasojë e goditjeve ka rënë pa ndjenja.

Rasti i tretë sipas prokurorisë ka ndodhur më 2 janar të këtij viti, ku i pandehuri B.S, në Gjilan, nën ndikimin e alkoolit, ka shkaktuar dhunë në familje ndaj bashkëshortes së tij, të dëmtuarës N.S.

Prokuroria ka njoftuar se i pandehuri fillimisht i ka kërkuar asaj dhe djalit të tyre që të largohen nga shtëpia e tyre, dhe pastaj e ka sulmuar të njëjtën, duke e goditur me grushte në fytyrë, derisa ka ndërhyrë djali i tyre dhe e ka penguar.

Prokuroria, me rastin e ngritjes së aktakuzave, i ka propozuar gjykatës, që të pandehurit t’i shpallë fajtorë për veprat e kryera penale dhe të njëjtit t’i dënojë sipas Ligjit.