Prokuroria Ndalon Dy Profesorë të Universitetit të Prizrenit

Departamenti për Krime të Rënda i Prokurorisë Themelore në Prizren ka lëshuar aktvendime për ndalim kundër B. Z., dhe B. A., që të dy profesorë të Universitetit Publik “Ukshin Hoti” në Prizren, si kundër E. S.  qytetar nga Prizreni, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale të fajdes.

Njëri nga profesorët dyshohet për kryerje të veprës penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare”, ndërsa tjetri për vepër penale të “fajdes”.

“Prokuroria ka lëshuar aktvendimin për ndalim kundër B. Z., profesor në Universitetin Publik “Ukshin Hoti” në Prizren, pasi që dyshohet se i njëjti ka kryer veprën penale keqpërdorimi i detyrës zyrtare nga neni 422 të KPRK-së. Ky ndalim ka rezultuar pas zhvillimit të hetimeve në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, njësiti i Krimeve Ekonomike në Prizren”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Prokuroria e Shtetit.

Ndërsa për ndalim kundër B. A., po ashtu profesor i Universitetit Publik “Ukshin Hoti” në Prizren prokuroria e ka lëshuar aktvendim për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale të fajdes nga neni 343 të KPRK-së.

Ndërkaq për ndalim e E. S., prokuroria e ka lëshuar aktvendimin për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale të fajdes nga neni 343 të KP-së.

“Për të gjitha këto raste Prokuroria Themelore në Prizren do të ushtroj kërkesë  për caktim të paraburgimit, me qëllim të kryerjes pa pengesa të procedurës penale”, thuhet më tej në komunikatën e lëshuar nga Prokuroria e Shtetit.