Foto: Ilustrim

Prokuroria liron të dyshuarit për kanosje, të njëjtit përsërisin veprën

Para tri ditëve në Prishtinë, është raportuar në polici një rast i kanosjes ndaj dy persona nga dy të dyshuar.

KALLXO.com ka marrë vesh se të arrestuarit për këtë rast ishin arrestuar nga policia, por pas lirimit kishin përsëritur të njëjtën vepër.

Të dyshuarit për këtë rast janë liruar në procedurë të rregullt, dhe pas lirimit kanë shkuar dhe kanë kanosur viktimat për herën e dytë.

Në bazë të një raporti që ka siguruar KALLXO.com, ku janë dhënë detaje në lidhje me rastin thuhet se e gjithë ngjarja ka ndodhur në një lokal në rrugën “Xhemajl Prishtina” në Prishtinë, ku dy personat e dyshuar kanë shkuar brenda në lokalin e viktimave dhe i kanë kanosur ata në lidhje me një shtëpi që ata e kishin blerë.

KALLXO.com ka takuar sot viktimën e këtij rasti, të cilët duke mos pranuar që të flasin para kamerave, e kanë konfirmuar se janë kanosur nga të dyshuarit për herën e dytë, në lidhje me një shtëpi të blerë.

Se kanosja ka ndodhur edhe pas lirimit të personave të dyshuar, e ka konfirmuar edhe policia.

Zyra për informim në Rajonin e Prishtinë në një përgjigje për KALLXO.com kanë treguar se të dyshuarit janë në kërkim nga ana e policisë.

“Ju njoftojmë se  pas lirimit te personave te dyshuar me urdhëresë te prokurorit, ngjarja është përsëritur dhe është iniciuar një rast tjetër kanosje në stacionin policor qendra në Prishtinë.  Aktualisht personat e dyshuar ndodhen në arrati dhe jemi duke punuar në identifikimin e vendndodhjes së tyre”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.

KALLXO.com ka kërkuar një përgjigje edhe nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për lirimin e personave të dyshuar për këtë rast, por deri në publikimin e këtij shkrimi të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.