Prokuroria liron njërin nga të dyshuarit për 113 kilogramë heroinë

Labinot Zenelaj, i dyshuar për përfshirje në rastin e 113 kilogramëve, është liruar gjatë ditës së sotme.

Zenelaj po mbahej në paraburgim që nga dhjetori i vitit të kaluar.

Gjatë ditës së sotme, KALLXO.com mësoi se Zenelaj ishte liruar nga ana e Prokurorisë Speciale.

Prokurororja e Rastit Florie Shamolli nuk e konfirmoi lirimin e tij duke thënë se “unë i jap kompetencë vetëm kryeprokurorit për informacione”.

KALLXO.com ka kontaktuar me SHKK te cilët kanë konfirmuar se Labinot Zeneli është lëshuar bga Burgu i Dubravës sot rreth orës 16:00.

Në dhjetor të vitit të kaluar Policia e Kosovës ndërmori njërin nga aksionet më të mëdha kundër drogës në vend. 113 kilogramë heroinë ishin gjetur në një banesë në Prishtinë ndërsa disa persona ishin arrestuar më pas nën dyshimin se ishin përfshirë në dhënien e ndihmës në këtë rast. Rasti ishte bërë pjesë e diskutimeve publike pas përfshirjes në rast të Enis Qerkës, ish shofer i Byrosë Kosovare të Sigurimeve ku drejtor është Gani Thaçi, vëllai i presidentit Hashim Thaçit.

Në mesin e të arrestuarve ishte edhe Labinot Zenelaj.

KALLXO.com mëson se prokuroria Speciale ka plane që të përfundojë me intervistimin e Zenelajt ndërsa nuk është e qartë nëse pas intervistimit ai do lihet i lirë.

https://kallxo.com/paraburgim-te-dyshuarve-per-fshehje-te-vetures-ne-te-cilen-u-gjeten-113-kg-heroine/

Në mars të këtij viti, KALLXO.com pati marrë informacion se Labinot Zeneli do të intervistohej nga Prokuroria Speciale pas katër muajsh paraburgim.

Prokurorja e rastit Florie Shamolli nuk kishte pranuar të jap detaje nëse do të kërkojë nga gjykata lirimin e Zenelajt në ditën kur do të përfundojë intervistimi.

“Qysh po pyet a ka me u intervistu? Unë ty me të dhanë informacion kush ka me u intervistu a? Këtë pyetje mundesh me ju ba dikujt tjetër, por jo prokurorit. Mu as kryeprokurori nuk më pyet kësi lloj pyetje”, ka thënë Shamolli për KALLXO.com.

Në anën tjetër zyra e mediave të Prokurorisë Speciale kishte konfirmuar terminin për intervistim por pa dhënë detaje nëse shkaqet e paraburgimit pushojnë pas kësaj seance.

“Ju njoftoj se së shpejti do të mbahet seanca mbi dëgjimin e të pandehurit L.Z., në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK). Duke pasur parasysh se jemi në fazën e hetimeve nuk mund të japim të dhëna tjera”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Prokurorisë, Ekrem Lutfiu, për KALLXO.com

KALLXO.com kishte kontaktuar edhe me avokatin kryesor të Labinot Zenelit, Haxhi Millakun.

I njëjti zgjodhi që të mos japë përgjigje, duke insistuar të marrë vesh se nga e ka mësuar KALLXO.com, informacionin se i mbrojturi i tij do të intervistohet e më pas do të lirohet.

“Prej kujt e keni marrë informacion për datën e dëgjimit të tij, a bon me e ditë? Je duke mi dëmtu hetimet dhe interesin e palës sime. Nëse ju intereson me e informu qytetarin nuk duhet me ju interesu, a lëshohet, a mbetet në burg, është çështje e gjyqit. Mos ma dëmtoni njeriun aman. Ju po e dini kur dëgjohet çka po doni prej meje. Mos ma dëmto njërin, unë po pres me fitu lirinë dhe tu bo çmos me e kry hetimin ma shpejt”, ka thënë Millaku.