FOTO KALLXO

Prokuroria kërkon vazhdimin e arrestit shtëpiak për gratë e kthyera nga Siria

Prokuroria Speciale ka kërkuar vazhdim të masës së arrestit shtëpiak ndaj grupit të grave të kthyera nga Siria të cilat po dyshohen se që nga viti 2014 e deri në prill të këtij viti kanë qenë në zonën e konfliktit në Siri e Irak.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar mbrojtësja e njërës nga gratë e dyshuara, avokatja Fehmije Bytyqi.

Bytyqi për KALLXO.com tha se Prokuroria ka kërkuar vazhdimin e masës së arrestit në afat të pacaktuar për grupin e grave të kthyera nga Siria.

Muajin e kaluar 32 gra janë kthyer nga Siria pas një aksioni masiv të rikthimit të kosovarëve nga atje.

32 të dyshuarve Gjykata e Prishtinës muajin e kaluar u ka caktuar masën e arrestit shtëpiak për një muaj.

Ato kanë qenë duke qëndruar në Siri në kohën e luftimeve, bashkë me burrat përkatësisht baballarët e tyre.

Nga Siria bashkë me rreth 110 persona të tjerë, kryesisht gra e fëmijë të kosovarëve që kanë luftuar përkrah grupeve të ndryshme në Siri e Irak, janë kthyer edhe katër të dyshuar për pjesëmarrje si luftëtarë në këto luftëra.

Nga 110 të kthyerit , 32 prej tyre janë gra, 74 fëmijë dhe 4 burra.

Megjithëse 110 shtetas kosovarë janë kthyer nga Siria, mbi 80 të tjerë vazhdojnë të jenë në zonat e konfliktit.

Sipas të dhënave në Siri vazhdojnë të jenë rreth 30 luftëtarë, 49 fëmijë dhe tetë gra.

23 Maj 2019 - 16:42

Blerta Iberdemaj 23/05/2019 - 16:42
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend