Ilustrim

Prokuroria kërkon paraburgim për të arrestuarit në spitalin privat në Prishtinë

Policia e Kosovës njofton se bazuar në informatat dhe hetimet e realizuara nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, gjatë ditës së djeshme është realizuar një operacion policor që ka rezultuar me kontrollimin e një klinike private në rajonin e Prishtinës dhe me arrestimin e katër personave të dyshuar për kryerje të veprave penale.

KALLXO.com mëson se të arrestuarit janë punëtorë të Spitalit Special ‘Bahçeci’ dhe nga katër prej tyre në liri është lënë embriologu në mënyrë që të përfundojë punët me embrionet pasi që janë në proces.

Ushtruesja e Detyrës së Kryeinspektores së Shëndetësisë, Nora Krasniqi, konfirmoi për KALLXO.com dyshimet se në këtë spital janë bërë inspektime dhe janë gjetur shkelje.

“Më datën 16.05 2019 ekipi i inspektorëve së bashku me drejtorinë për trafikim me qenie njerëzore e ka kryer inspektimin e  planifikuar në spitalin special për gjinekologji obstetrikë dhe kirurgji “Bahceci Health Care” në shërbimin e fertilizimit të asistuar mjekësore”, tha Krasniqi.

Sipas saj, raporti nuk është definitiv ende por ka pasur parregullsi në punë.

“Gjetjet janë një numër i madh i shkeljeve në bazë të ligjit për shëndetin riprodhues dhe udhëzimit administrativ (shëndetësi 06/2013 për ftyrnimin e asistuar mjekësor). Informata më të detajuara do të dalin nga raporti”, tha Krasniqi.

Nga ana tjetër zëdhënësja e Prokurorisë në Prishtinë Laureta Ulaj tha se është bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të arrestuarve.

“Nesër pritet të mbahet seanca dëgjimore dhe të merret vendimi”, tha zëdhënësja Ulaj.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe spitalin Bahçeçi por të njëjtit nuk kanë pranuar të flasin dhe nuk kanë treguar se kush prej avokatëve i përfaqëson në gjykatë. Ata kanë thënë se avokatët do ta kontaktojnë gazetaren e KALLXO.com por nuk e kanë bërë këtë deri në kohën e publikimit të artikullit.

Muaj më parë KALLXO.com ka raportuar edhe për arrestimin e disa personave tjerë nga Klinika Amerikane “Dr.Behar Kusari” nën dyshimin se kanë transplantuar inde dhe qeliza njerëzore.

https://kallxo.com/arrest-shtepiak-te-dyshuarve-per-transplantim-te-kunderligjshem-te-qelizave-njerezore/